Daja e shikon si pikën e kthesës fitoren. Martini: Nuk është Teuta e vitit të kaluar
Në njërin kamp ka festë dhe në kampin e kampionëve në fuqi ka reflektim.
Ilir Daja shprehet i kënaqur për fitoren me Kastriotin për të cilën trajneri thur elozhe dhe e shikon si ndeshjen që ndryshon situatën në kampion e kuq.
“Kemi çuar veten në krizë rezultatesh, kemi menduar që ta marrim të gjithë përgjegjësinë. E gjithë fitorja shkon për djemtë, kishim një transfertë të vështirë, Kjo fitore na jep kohë për t’u rikuperuar si pasojë e ndeshjeve të kombëtares. Kjo mund të jetë një pikë kthese, e kemi pritur fitoren edhe më para. Përtej lojtarëve, fitorja shkon edhe për tifozët, ishin të shumtë. Le të dalim nga ky moment të gjithë bashkë. Të gjithë e kemi vuajtur mungesën e rezultateve. Alban Hoxha? Ka një frakturë të dorës. Teqja na ka mbrojtur portën. Urojmë të kthehet sa më shpejt Albani, por duhen vlerësuar edhe dy ndeshjet e mira të Teqjes”, deklaroi trajneri Ilir Daja.
Ndërkohë për Edi Martinin situata te Teuta nuk është më e mira duke pranuar pas humbjes në Laç se nuk është ai ekip I sezonit të kaluar.
“Duhej të ishim më të kujdesshëm dhe të qartë para porte për të shënuar gol. Në pjesën e dytë ishim mirë deri në minutën e 20 dhe lamë hapësira dhe kundërshtari rriti kundërsulmet e erdhi goli i dytë. Luajtëm mirë, por kështu është futbolli. Kemi kohë për t’u ringritur, kemi një kontigjent të mirë dhe do i zëvendësojmë më se miri. Akoma nuk e kemi kolauduar ekipin me ikjen e Hoxhës dhe Arapit, Ivanoviç nuk ka luajtur shumë kohë, Selmani është djalë i ri. Në përgjithësi kemi bërë ndeshje të mirë pavarësisht rezultatit. Ky është si kampionati i vjetshëm, vjet bëri Vllaznia shkëputjen. Ne ishim më mbrapa, ndërsa tashmë Kukësi dheTirana kanë pasur më shumë kohë. Ndërsa ne, Laçi, Partizani dhe Shkodra kemi pasur probleme, por tetë pikë nuk janë shumë”, deklaroi trajneri i ekipit durrsak.
