Efektivi shtyu gazetaren drejt greminës, Bledi Çuçi: Zero tolerancë për këto shfaqje të shëmtuara
Ministri Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me incidentin e ditës së djeshme ku policia shtyu gazetaren Anila Hoxha.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale Çuçi shkruan se drejtori i policisë Gledis Nano si dhe ai i SHÇBA kanë pasur një komunikim me gazetaren, ndërsa i kërkon ndjesë kësaj të fundit për incidentin e një dite më parë.
Sipas tij toleranca për këto shfaqje të shëmtuara do të jetë zero, për këdo që bën të tilla veprime.
"Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë.
I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu."
