Prag lufte në Bosnje? Bytyçi: Vuçiç po përdor metodat e paqes për të bashkuar serbët e Ballkanit

Bashkimi Europian është tepër i shqetësuar për situatën në Bosnjë-Hercegovinë. Madje kjo çështje është vazhdimisht në qendër të aktiviteteve diplomatike të Brukseli.

Një fakt të tillë e konfirmoi ditët e fundit zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Madje bëri të ditur se shqetësimeve serioze u është bashkangjitur edhe administrata amerikane dhe se po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në vend.

Analisti për çështjet e rajonit, Enver Bytyçi, i ftuar në Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po përdor metodat e paqes për të bashkuar serbët e Ballkanit.

Bytyçi: Shikoj një përpjekje të jashtëzakonshme të Serbisë me ndihmën e Rusisë  të detsabilojë Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Ndërsa Maqedonia e Veirut është një nyje shumë e fuqishme që ashtu si Millosheviçi edhe Aleksandër Vuçiç nuk synon ta prekë në anën e forcës, të dhunojë të drejtën ndërkombëtare sepse Maqedonia do të shkaktonte një gjakderdhje të përgjithshme jo vetëm rajonale por edhe europiane.

Të njëjtin mendim ndaj edhe analisti Abdylvehap Ejupi, duke shtuar se Open Balkan është një mjet në duart e Serbisë për të realizuar idenë e kahershme të bashkimit të gjithë serbëve në një shtet të vetëm

Ejupi: Open Balkan është një mjet në duart e Serbisë për të realizuar idenë e kahershme të bashkimit të gjithë serbëve në një shtet të vetëm. Nuk është sekret. Nga viti 2018 e këtej Ministri i Brendshëm i Serbisë e thotë atë që Vuçiç nuk e thotë.Politikës së jashtme të Serbisë i paraprin Akademia e Shkencave dhe Arteve, e cila e ka planifikuar këtë shekuj më herët. Një Ballkan i Hapur pa Kosovën, pa Bosnjen dhe Malin e Zi nuk është Ballkan i Hapur por vetëm mjet në dorën e Serbisë që do ti jepte qasje dhe në detin Adriatik. Shqiptarët nuk janë të konsoliduar ti bëjnë ballë Serbisë politikisht, ekonomisht dhe ushtarikisht. Serbia është eksportuese numër një për të gjitha vendet përreth, për Bosnjen, Kosovën, Malin e Zi.