Jakaj: Buxheti 2022 për shëndetësinë i pamjaftueshëm, por shkon më shumë për koncesione
Në një intervistë për Ora News, Anëtari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në LSI, Besnik Jakaj u shpreh se propaganda e qeverisë është tashmë normë në shëndetësi.
Ai tha se në buxhetin e vitit të buxhetit ka një çorientim klientelist, duke i çuar sipas tij investimet dhe paratë tek ata që kanë marrë koncesionet.
Jakaj: Propaganda e qeverisë është tashmë normë në shëndetësi. Qytetarët shqiptarë e dinë se buxheti për shëndetësinë është i pamjaftueshëm dhe ka një shpërndarje të çorientuar. Pandemia ka treguar për një nevojë të zgjuar të shtrirjes së investimeve dhe zërave të buxhetit. Ne nuk e kemi kaluar akoma pandeminë, por ama nuk ka shtesa dhe zëra specifike në buxhet për rimbursim barnash dhe trajtime në kushte shtëpie, ose në lidhje me masat mbrojtëse sa i takon covidit.
Në shërbimin parësor në shëndetësi nuk ka investim. Në buxhetin e vitit të buxhetit ka një çorientim klientelist. Ka projekte për personel shëndetësor në zona ku nuk ka përqendrim të popullatës për shkak se janë larguar nga vendi. Kjo është një qasje klienteliste. Këto janë investime jo të zgjuara. Sigurisht që buxheti i ministrisë së shëndetësisë është i pamjaftueshme.
Jakaj shtoi se nuk ka parashikim për rritje pagash për personalin mjekësor dhe prandaj largohen profesionistët e shëndetit.
Jakaj: Ndërkohë nuk ka parashikim për rritje pagash për personalin mjekësor dhe prandaj largohen profesionistët e shëndetit. Në këtë buxhet janë parashikuar të gjitha pagesat e koncesioneve. Mjeku i familjes harxhon pjesën më të madhe të kohës duke u marrë me check upit për të cilin paguhet koncesionari.
