Universiteti në Kaliforni i lejon studentët e pastrehë të flenë në makina në parking
Kolegji Long Beach City i Kalifornisë do t'i lejojë studentët e pastrehë të flenë në automjetet e tyre në garazhin e parkimit të universitetit.
Shkolla njoftoi të hënën se programi i saj "Programi i Parkimit të Sigurt" ka për qëllim të ndihmojë studentët e pastrehuar në universitet dhe të sigurojë një hapësirë të sigurt për ta për të parkuar gjatë natës.
Studentët e regjistruar që janë të pastrehë do të qëndrojnë në strukturën e parkimit të Kampusit të Bregut të Paqësorit shtatë netë në javë, mes orës 22:00 të mbrëmjes dhe asaj 7 të mëngjesit.
Këta studentë do të kenë akses në tualete dhe Wi-Fi gjatë gjithë natës dhe do të jenë në gjendje të përdorin dushet në Kampusin e Bregut të Paqësorit gjatë orëve të mëngjesit.
"Programi i Parkimit të Sigurt" është i vetmi program i njohur i këtij lloji në rajon në një kolegj komunitar. Zyrtari i kolegjit, Mike Muñoz tha se afër 70 studentë flenë në makinat e tyre çdo natë.
"Nëse ne mund të ndihmojmë për t'i mbajtur studentët tanë të sigurt në mënyrë që ata të përqendrohen më mirë në përgjegjësitë e tyre studentore, ky program ia vlen absolutisht të ndiqet," tha Muñoz në deklaratë.
Universiteti tha se do të ndihmojë studentët e pastrehë të gjejnë strehim më afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Një studim i UCLA nga viti 2020 zbuloi se një në 5 studentë të kolegjit të komunitetit të Kalifornisë, një në 10 studentë të Universitetit Shtetëror të Kalifornisë dhe një në 20 studentë të Universitetit të Kalifornisë jetojnë si të pastrehë.
