Eric Adams bëhet afrikano-amerikani i dytë që zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut

Demokrati Eric Adams është zgjedhur kryebashkiaku i 110-të i qytetit të Nju Jorkut, duke mposhtur kandidatin republikan Curtis Sliwa. Adams, një kapiten në pension i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, i cili përqafoi një mesazh të sigurisë publike, do të jetë kryetari i dytë me ngjyrë në historinë e qytetit, pas të ndjerit David Dinkins.

Ai është vetëm afrikano-amerikani i dytë që zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut: një ish-oficer policie dhe aktivist kundër racizmit, Eric Adams fitoi dje, të martën 2 nëntor, lehtësisht në zgjedhjet për kryetarin e ri të metropolit amerikan, një zhvillim i papritur për një fëmijë nga një familje e varfër që kishte flirtuar me krimin.

Demokrati 61-vjeçar fitoi ndaj kundërshtarit të tij republikan, 67-vjeçarit Curtis Sliwa, sipas rezultateve provizore të shpallura nga Komisioni Zgjedhor i Nju Jorkut.

Adams fitoi 67% të votave, krahasuar me 27% për Sliwa dhe rrjedhimisht u bë kryebashkiak i një qyteti tradicionalisht të majtë, ku pabarazitë ekonomike dhe sociale midis komuniteteve të ndryshme janë të larta.

“E bëra realitet ëndrrën time sonte dhe me gjithë zemër do të heq pengesat që të pengojnë të realizosh tënden”, tha Adams, duke buzëqeshur në mes të një turme mbështetësish të mbledhur në një hotel në Brooklyn.

“Ishte koha. Punonjësit do të kenë një zë tani e tutje," tha Jacques Rivers, një mik i kryebashkiakut të ri.

Kjo fitore është kulmi i karrierës së Adams, i cili vjen nga një familje e varfër dhe është rritur në Brooklyn dhe Queens.

Në moshën 15-vjeçare ai u rrah nga policia kur u arrestua për dhunim të pronës private. Kjo ia forcoi vendosmërinë për t'iu bashkuar policisë, gjë që e bëri pjesë të saj në mesin e viteve 1980. Pas 22 vitesh shërbimi doli në pension.

Në vitin 1995 ai themeloi një organizatë për të luftuar racizmin në polici, "100 zezakët që kujdesen për  zbatimin e ligjit". Në vitin 2003 ai kandidoi për Senatin e Nju Jorkut dhe dhjetë vjet më vonë u zgjodh president i Këshillit të Qytetit të Bruklinit, një pozicion që shënoi fillimin e zgjedhjes së tij në Bashkinë e Nju Jorkut.

Adams është shumë krenar që është bërë vegan në vitin 2016 pasi u diagnostikua me diabet, dhe ai shkroi një libër për të bindur afrikano-amerikanët të ndiqnin shembullin e tij.

Ish-oficeri i policisë rrëmbeu një "breshëri" duartrokitjesh kur u zotua sërish të martën mbrëma, se do të ishte i pamëshirshëm përballë krimit, i cili u rrit ndjeshëm në vitin 2020.

“Ne nuk do të flasim vetëm për sigurinë, do të kemi siguri”, tha ai.

Deri në orët e fundit të fushatës së tij, ai u shfaq si një mbështetës i klasës së mesme dhe punëtore, por edhe si një njeri me lidhje të ngushta me rrethet e biznesit të Manhatan-it, mushkërive ekonomike globale.

Buxheti deri në 100 miliardë lekë

Pasardhësi i Bill de Blasio do të thirret për të menaxhuar buxhetin më të madh komunal të SHBA: 98.7 milionë dollarë për vitin fiskal 2021-2022.

Adams do të drejtojë gjithashtu forcën më të madhe policore në vend, me 36,000 njerëz që punojnë për policinë e qytetit të Nju Jorkut. Do t'i duhet të bëjë reforma në organ, pa u përplasur me policinë, së cilës i përkiste dhe bashkimin e fortë të saj.

Përveç kësaj, Adams do të duhet të menaxhojë kthimin në normalitet në shkolla, dyqane dhe zyra pas pandemisë Covid-19, në një qytet që regjistroi 34,000 vdekje nga koronavirusi.

Në të njëjtën kohë, ai është e angazhuar për të trajtuar pabarazitë sociale, mungesën e banesave të përballueshme, reformimin e sistemit arsimor publik të qytetit të Nju Jorkut, modernizimin e infrastrukturës së vjetër të qytetit për të përballuar më mirë motin ekstrem dhe mbylljen e burgut famëkeq në ishullin Rikers.

Adams do të bëhet kryebashkiaku i 110-të i Nju Jorkut. Kryetari i parë afrikano-amerikan i bashkisë së metropolit amerikan ishte David Dinkins (1990-1993).