Virxhinia test politik me Biden, po bie pëlqyeshmëria për presidentin amerikan
Zgjedhjet në shtetin amerikan të Virxhinias konfirmuan të martën se po shtohet pakënaqësia ndaj demokratëve në pushtet dhe presidentit Joe Biden.
Garën për guvernator e fitoi republikani Glen Jongkin, duke befasuar qytetarët që vetëm një vit më parë ia besuan në shumicë votën Biden-it dhe të majtëve të tij për 12 vite radhazi.
Biznesmeni pati prej fillimit mbështetjen e ish-presidentit Donald Trump.
"Bashkëqytetarët e mi, ky është një moment përcaktues - nisi me dy persona dhe tani bashkë po ecim miliona virxhinianë. Transformimin do e nisim nga dita e parë."
Demokrati Teri MekOlif humbi me gati 2 pikë disavantazh kundrejt Jongkinit dhe mendohet se u penalizua për qëndrimet mbi abortin, rolin e prindërve në shkolla dhe për çështjet kulturore e racore.
Të martën, republikanët patën një garë të ngushtë edhe në Nju-Xhersi, ndërsa nuk pati surpriza në Nju-Jork ku afroamerikani Erik Adams zëvendësoi Bill de Blasion në garën për bashkinë.
Presidenti Biden parashikoi orë më parë fitoren në Virxhinia.
Gara në shtetin lindor të Amerikës u pa si një test politik 10 muaj pas hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë.
Pëlqyeshmëria për punën e 78-vjeçarit ka rënë në 43 për qind, dhe rënien po e ndikojnë qytetarët e pakënaqur në zonat jo-urbane më të varfra të vendit.
Ambasadorja Kim në kryesinë e Kuvendit, takon Nikollën
3 Nëntor, 11:04




