Fund shpyllëzimit deri në 2030, Shqipëria dhe mbi 100 shtete zotohen të restaurojnë zonat pyjore të degraduara
Shqipëria dhe mbi 100 shtete janë zotuar se do e ndalin shpyllëzimin dhe degradimin e tokës brenda vitit 2030.
Deklarata e përbashkët u nënshkrua të hënën në vazhdën e samitit për klimën që po mbahet në Glasgou të Skocisë.
Pyjet thithin rreth 30 për qind të dioksidit të karbonit që lëshohet në atmosferë, por kjo mburojë natyrore po vjen duke u shkatërruar si pasojë e ndërhyrjeve të njeriut apo nga katastrofat, sa vetëm në vitin 2020 u asgjësua një sipërfaqe prej afro 260 mijë kilometra katrorë pyje.
"Ne do të forcojmë përpjekjet e përbashkëta për të konservuar pyjet dhe ekosistemet tokësore; do të promovojmë politika tregtare dhe zhvillimi më të qëndrueshme; do të ndihmojmë zonat rurale; do të rritim investimet për të zmbrapsur humbjen dhe degradimin e pyjeve," u shprehën 105 vende nëpërmjet një deklarate.
Në mesin e tyre janë Brazili, Indonezia dhe Republika Demokratike e Kongos, të cilat kanë disa nga hapësira pyjore më të mëdha dhe më të rrezikuara në botë.
Sipas marrëveshjes, 12 shtete do të ndajnë 12 miliardë dollarë fonde deri në vitin 2025 që vendet në zhvillim të mbrojnë dhe restaurojnë zonat pyjore.
Zotimet janë mirëpritur nga ekspertët, por ndërsa liderët e botës diskutojnë, në Glasgou po mbahen edhe protesta.
Aktivistija e re, Greta Tynberji, është një nga të rejat që po i prin ato.
"Brenda samitit ka vetëm politikanë dhe njerëz me pushtet që pretendojnë se e marrin seriozisht të ardhmen tonë apo të tashmen e njerëzve që sot janë në kriza. Ndryshimi nuk vjen nga aty brenda, se aty nuk ka lidership, por këtu po," tha 18-vjeçarja suedeze.
Konferenca dyjavore e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike ka bërë bashkë mbi 120 kryetarë qeverish dhe shtetesh, dhe pritet të dalë me vendime për ta shpëtuar planetin nga katastrofat që mund ta kërcënojnë si pasojë e ndryshimit të temperaturave./Ora News/

