Tensionet Francë-Britani për peshkimin, Parisi përgatit sanksionet

Franca ka paralajmëruar Britaninë e Madhe se e presin disa sanksione nëse do u mohojë peshkatarëve francezë të drejtën që të peshkojnë në ujërat e saj.

Përplasjet mes dy vendeve vijojnë që pas daljes së britanikëve nga Bashkimi Europian, proces që u krye pa u zgjidhur tërësisht çështja e të drejtave të peshkimit 12 milje nga ujërat britanikë.

Pala franceze akuzon Londrën se po i bllokon licencat për këtë veprimtari dhe nga po planifikon të kundërpërgjigjet duke shtuar kontrollet dhe duke e penguar hyrjen e peshkarexhave angleze në portet franceze.

Por edhe pala britanike u irritua të premten me Parisin, duke e qortuar se nuk po sillet si shtet aleat, por po e kërcënon në mënyrë jo-proporcionale.

Ministria e Jashtme thirri në Londër ambasadorin e Francës që të sqarojë pozicionin dhe motivin e ndalimit të kapitenit të një peshkatoreje skoceze.

Policia detare franceze tha të enjten se mjeti u kap në ujërat e vendit me mbi 2 tonë guaska pa pasur licencën e duhur.

"Me francezët përsëritet e njëjta gjë prej 3, 4 vitesh. Përdorin çfarëdo justifikimi për të fituar sa më shumë qasje dhe kontroll në ujërat tanë."

"Peshkimi artizanal dhe peshkimi industrial nuk bëjnë bashkë. Këtë duhet të zgjidhë Komisioni dhe Franca: të ndalojnë peshkimin masiv që na dëmton," thonë dy peshkatarë britanikë.

Komisioneri i BE-së për Tregun e Brendshëm, Tieri Breton, tha të enjten se ai e kupton pozicionin e Francës për licencat e peshkimit pas Brexit, dhe se janë autoritetet britanike që duhet të tregohen të arsyeshme në këtë pikë.