Nga Brukseli, dy shqiptarë menaxhonin trafikun e drogës nga Amerika Jugut në Europë: Sekuestrohen 620 kg kokainë
620 kg kokainë e trafikuar nga Amerika e Jugut drejt Italisë e Europës Veriore menaxhohej nga dy shqiptarë në Bruksel.Operacioni ndërkombëtarë antidrogë në Itali, Belgjikë e Gjermani.
Me urdhër të Prokurorisë së Antimafias së Venezias, autoritetet policore italiane të Guardia di Finanza së Venezias, të Drejtorisë së përgjithshme Antidrogë në Romë e Njësisë së krimit të organizuar, kanë marrë pjesë në një mega operacion që çoi në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar droge, e tipit kokainë nga Amerika e Jugur në Europë.
Dy shtetas shqiptarë me banim në Brukesl ishin pikat referuese të këtij organizimi kriminal që menaxhonin trafikun e drogës nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore e Italisë.
Në bashkëpunim me trafikantë të tjerë me veprim në qytetin gjerman Aquisgrana e përmes korrierëve, droga shpërndahej në celulat e tyre në Europë, e Itali.
Nën arrest janë vënë 60 trafikantë e janë kryer 101 kontrolle banesash, 98 në Belgjikë e 3 në Gjermani.
Gjatë gjithë aktivitetit investigativ të këtij megaoperacioni ndërkombëtar, vetëm në Itali janë sekuestruar 170 kg kokainë e që sipas antidrogës italiane do t'i sillte këtij organizimi kriminal një përfitim mbi 17 milionë euro.
Ndërsa gjithsej në tre vende Itali, Belgjikë e Gjermani, ky operacion çoi në sekuestrimin e 620 kg kokainë, 6 laboratorë klandestinë për përgatitjen e dozave të kokainës, disa tonë substancë për përzierjen e përgatitjen e drogës, 1 milionë euro cash, 1 fabrikë klandestine për përpunimin e duhanit e rreth 300 kubë duhan kontrabandë, 13 armë zjarri, orë dore të markave të shtrenjta, 60 automjete luksoze, vepra arti.
Autoritetet italiane në dokumentacion e pamjet filmike të siguruara nga RTV Ora e Ora News, zbardhin se operacioni është ekzekutuar më datë 26 tetor 2021 me pjesëmarrjen e rreth 1400 forcave policore italiane, gjermane e belge.
Hetimet e këtij operacioni nisën nga Autoritetet e Guardia di Finanza të Venezias e cila identifikoi në territorin Veneto një individ me origjinë arabe i dyshuar si xhihadist e të cilit iu sekuestruan 22 kg kokainë.
Investigimet e mëtejshme ndaj kësaj sasie droge çuan në ngritjen e grupit operativ të përbashkët me policinë belge e gjermane si dhe autoritetet gjyqësore përkatëse, nën drejtim e Eurojust e kontributin e Europol, deri në finalizimin e këtij megaoperacioni ndërkombëtar antidrogë.









