Rikthehen abonetë me foto, emër e mbiemër

Nëse duhet të marrësh një abone të duhet një foto dhe të plotësosh me emër e mbiemër kartonin. Gjithashtu abonetë nuk do të blihen më tek fatorinoja por tek kjoskat në stacionet e autobusit në kryeqytet.Një veprim i tillë ka provuar se sjell dhe fluks të qytetarëve në kioska.

Ky është njoftimi që Bashkia e Tiranës ka vendosur në pikat ku shiten abonetë. Tashmë çdo person që pajiset me abone të përgjithshme duhet të ketë një foto dhe me kartën e identitetit do plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit.

Në kioskën te "9 katëshet" shitësja tregon se ka pasur dhe nga ata qytetarë që nuk e kanë blerë pasi nuk kanë qenë dakord, duke theksuar se të gjitha abonetë janë lëshuar në bazë të rregullores së re të bashkisë.

Për qytetarët ky vendim nuk është i drejtë pasi është rritje shpenzimesh për ta.

"Normale nuk është, 16 mijë lekë në muaj."

"Harxhim i madh, 16 mijë lekë dhe kanë ndërmend ta bëjnë 18 mijë."

E njëjta procedurë bëhet edhe për abonenë e studentëve, ku secili që do ta përfitojë abonenë me çmim më të lirë do të duhet të dorëzojë kartën e studentit, foton si dhe një mjet identifikimi.

Për studentët pajisja me Kartelën e Pajtimit Mujor Abone Studenti bëhet në pikat e hapura posaçërisht, sikurse janë: kioska tek “Ushtari Panjohur”, rruga “Ludovik Shllaku”; kioska tek 9 – katëshet, rruga “Barrikadave”; kioska tek ish – 7 Xhuxhat, rruga “Elbasanit”, si dhe kioska pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, rruga “Muhamed Gjollesha”.