Merkel vizitë lamtumire në Greqi/ Raportet midis dy shteteve të tendosura që pas krizës së borxheve në 2009
Kancelarja Angela Merkel mbajti të premten vizitën e radhës të lamtumirës në Greqi, përpara largimit nga politika.
Athina është qyteti ku kryeqeveritarja gjermane nuk është pritur krahëhapur nga populli grek që pas krizës financiare që kaloi vendi dhe bota.
Në 2009-ën, Gjermania kërkoi marrjen e masave drastike buxhetore dhe fiskale në këmbim të huave, të cilat i fshinë Greqisë çerekun e prodhimit kombëtar dhe sollën rreth 60 për qind papunësi.
Merkel i pranoi kryeministrit Kirjakos Micotaqis se ajo ishte periudha më e vështirë për të në 16 vite si kancelare.
"E kam thënë vazhdimisht se jam e vetëdijshme për sfidat dhe peshën që mbajtën grekët nga destabilizimi i euros. Por tekefundit gjetëm një mënyrë që Greqia të jetë pjesë e Bashkimit Europian prej 40 vitesh."
Micotaqis lavdëroi trashëgiminë politike të Merkelit, duke e quajtur zë të arsyes dhe stabilitetit, por jo gjithnjë të drejtë.
Për çështjen e krizës së kaluar, kancelarja gjermane u ndesh edhe me presidenten, Katerina Sakelaropulu.
Në takimin e përbashkët, kryeshtetarja greke tha se vendi i saj u ndje vetëm, megjithatë përvoja u vlejti palëve për të nxjerrë konkluzione për të ardhmen.
Pavarësisht ulje-ngritjeve diplomatike, raportet tona mbeten të forta sepse kanë për bazë dialogun, përfundoi kancelarja Merkel në përfundim të vizitës së saj të fundit në Greqi.

