Maqedonia e Veriut para heshtjes zgjedhore, të dielën mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale

 

Në 44 komuna dhe në kryeqytetin maqedonas të Shkupit do të mbahet të dielën raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët. VMRO-ja opozitare fitoi shumicën e komunave në të parin dhe ka kërkuar ndryshim të qeverisë nëse e zgjeron më tej avantazhin ndaj LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev.

Maqedonia e Veriut në pak orë hyn në heshtje zgjedhore për t'i lënë vend garës në 44 komuna dhe në Shkup.

Të dielën është raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, por ato perceptohen nga opozita si një test për stabilitetin e qeverisës së kryeministrit Zoran Zaev.

Opozitarët e VMRO-DPMNE-së thonë se gjithçka do e përcaktojë balotazhi në Shkup, ku kandidatja Danela Arsovska, e pavarur por e përkrahur nga opozita, fitoi më shumë vota në raundin e parë.

Në qendër të vëmendjes së komunitetit të madh shqiptar është edhe komuna e Tetovës, ku në garë janë Teuta Arifi nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Bilal Kasami nga Lëvizja BESA.

Rezultatet në këto dy qytete mendohet se do të ndikojnë aleancat qeverisëse, dhe mund ta forcojnë ose cenojnë shumicën e brishtë të kryeministrit Zaev.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i bindur se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të kalojë më mirë se i pari.

Mbi 400 persona të trajnuar do të jenë në terren për të evituar problemet me teknologjinë e re të identifikimit biometrik që shkaktoi radhë në votim.

Në raundin e parë u zgjodhën krerët e 32 komunave, nga të cilat 18 i fitoi VMRO-ja dhe 9 i morën socialdemokratët në pushtet.