Osmani: Njohja e Kosovës nga Serbia, epilogu i vetëm i pranueshëm në dialog

Presidentja Vjosa Osmani këtë të mërkurë ka deklaruar se njohja e pavarësisë se Kosovës nga Serbia është epilogu i vetëm i pranueshëm në procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë një takimi me kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko,

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka thënë se tendenca e regjimit të Beogradit për të rishkruar historinë dëmton përpjekjet për hapjen e kapitullit të ri në raportet ndërshtetërore.

Më tej shtoi se ballafaqimi me të kaluarën, drejtësia për viktimat e luftës dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë janë parakusht për paqe në rajon.

Sipas njoftimit thuhet se Osmani  ka shprehur bindjen se shtetet e rajonit duhet të veprojnë bashkërisht për të parandaluar ndikimin e aktorëve që synojnë minimin e të arriturave drejt integrimit në BE dhe NATO.