Longo: Fitoi skuadra më e mirë. Brdariç shpjegon humbjen e parë

Kukësi iu bashkua Teutës dhe Tiranës në krye të renditjes me 11 pikë pas fitores 2-0 ndaj Vllaznisë duke u shkaktuar humbjen e pare këtyre të fundit. Trajneri Italian, Longo nuk e fshehu gëzimin për fitoren e arritur dhe për paraqitjen e skuadrës.

“E dinim se për të fituar duhej të ishim shumë kompaktë dhe ia dolëm të shënojmë dy gola, por mund të bënim më shumë. Ata luajtën shumë mirë, por edhe ne u treguam racionalë. Jam i kënaqur që nuk pësuam asnjë gol sot dhe rregulluam balancat. Kemi punuar shumë dhe po rritemi, por tani duhet të shënojmë më shumë, pasi i kemi mundësitë. Basha është një lojtar fantastik, por unë doja diçka ndryshe. Për mënyrën se si luajmë nuk varemi shumë nga qendra e mbrojtjes, por unë mendoj se Lulaj është mbrojtësi më i mirë në Superiore, ndërsa Bytyçi është një i ri shumë i talentuar ,që shumë shpejt do të jetë pjesë e te rinjte te Shqiperise,” u shpreh trajneri Italian.

Në kampin tjetër, Thomas Brdariç e pranoi se skuadra nuk bëri dot lojën që ka bërë këto javë teksa deklaroi se skuadra bëri disa gabime që ndikuan në rezultat.

“Dua të përgëzoj skuadrën e Kukësit, që shënoi dy herë dhe ishte e mjaftueshme për të luajtur kundër nesh. Nuk është se kishim mungesë përqendrimi, por shpërdoruam, duke humbur një rast shumë të mirë me Da Silvën, ndërsa më pas erdhi ai gol shumë i bukur, që ktheu situatën në favor të Kukësit. Patëm një mungesë durimi, pasi ishim shumë të nxituar, por duhet të analizojmë këtë ndeshje dhe të përmirësohemi. Duhet të analizojmë për të kuptuar se pse ndodh që një herë shënojmë shumë gola dhe një herë tjetër vuajmë shumë për të dërguar topin në rrjetë. Sot nuk ishte një ditë e mirë, por do të nxjerrim mësimet për të bërë më mirë në ndeshjen e ardhshme. U lamë shumë hapësira lojtarëve kundërshtarë, ndonëse e dinim se ata kanë shpejtësi e cilësi”, deklaroi trajneri i skuadrës shkodrane./Ora News/.