Atentat me kallashnikov në mes të Fierit, kush është Demir Backa, pronari i lokalit që mbeti i vdekur

Demir Backa, 57-vjeç, është ekzekutuar me armë zjarri në Fier mbëmjen e së shtunës (23 tetor 2021). Autorët që dyshohet të ishin 2 persona, qëlluan me të paktën 16 plumba drejt objektivit të tyre. Policia gjeti një makinë të djegur, ndërsa hetimet e para janë përqëndruar tek e shkuara e viktimës.

Biznesmeni Demir Backa është ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës në Fier.

57-vjeçari është qëlluar me breshëri kallashnikovi brenda automjetit të tij tij "Audi" teksa ishte duke parkuar pranë ish-QTU, një zonë mjaft e populluar.

Demir Backa  u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit por pak më shumë se një orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

Pasi kanë shkrepur të paktën 16 plumba drejt objektivit të tyre,  autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa siç ndodh zakonisht në vendin tonë pak minuta më vonë ata dogjën makinën e krimit  në dalje të by pass-it, për të zhdukur çdo provë.

Dyshohet se në atentat kanë kanë qenë dy persona të cilët kanë hapur zjarr nga një automjet tip "Mercedes Benz".

Në vendin ku u dogj makina e autorëve, policia gjeti 2 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur për krimin, një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat janë çuar në laborator për ekzaminim.

Demir Backa ishte emër i njohur në Fier, pasi ai rezulton pronar i bar "Piazza" dhe zotëronte edhe një hotel në Sarandë.

Hetimet e para flasin se atentati mafioz është kryer për hakmarrje, ndërsa policia është përqëndruar te e shkuara e  Demir Backës.

Burimet thonë se pak muaj më parë Backa ka pasur një konflikt me një person me influence në Fier, i cili ishte subjekt i OFL-së.

Viktima, është gjithashtu i afërm i ish-anëtarit të bandës së Fierit Medi Backa, i cili është vrarë në 1997-ën së bashku me 23 persona të tjerë në atë që quhet edhe “Masakra e Levanit”.