Arabët shkarkojnë Steve Bruce. Ja kush mund ta drejtojë Newcastle

Steve Bruce nuk është më trajneri i Newcastle. Klubi anglez, i shumë kërkuar tashmë nga të gjithë pasi u ble nga miliarderët nga Arabia Saudite, ka shkarkuar trajnerin 60-vjeçar, situata e të cilit ishte bërë shumë e vështirë sidomos pas humbjes 3-2 me Tottenham.

Pavarësisht se edhe lojtarët i ishin vënë kundër, drejtuesit prej kohësh kishin projektuar largimin e tij për një emër tjetër më të njohur dhe kandidatët janë të shumtë.

Siç mësohet, drejtuesit e Newcastle kanë gjetur akordin për ndërprerjen me konsensus të kontratës me Steve Bruce ndërsa drejtimin e skuadrës përkohësisht e merr Graeme Jones i cili do të drejtojë ekipin në duelin e të Shtunës ndaj Crystal Palace.

Sa për pasuesin e Bruce në stol është një enigma e madhe pasi emri i fundit është ai i Paulo Fonsecës, ish trajnerit të Romës që në verë ishte dhe pranë emërimit në krye të Tottenham. Në listën e kandidatëve janë edhe Eddie Howe, Lucien Favre, Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Unai Emery. /Ora News/.