"E keqja nuk fillon nga drejtori i policisë së shtetit, por nga Rama", Dogjani: Kryeministri ka kapur gjithçka
"Me gjithë lëvizjet që janë bërë në policinë e shtetit në të gjitha drejtoritë e qarqeve, unë nuk shoh se do të ketë ndonjë zgjidhje," kështu u shpreh ish-shefi i policisë Asllan Dogjani gjatë një interviste në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini.
Sipas tij, një drejtor policie (Gledis Nano) po mundohet të çojë drejtorët e vet, siç i kishte ai i pari, ky do çojë të vetët për t'i pasur nën kontroll këta drejtorë që kur t'i duhen shefit të madh Edi Ramës ky t'i përdorë për interesa politike për të goditur opozitën.
Dogjani: E keqja këtu nuk fillon nga drejtori i policisë, këtu e keqja fillon nga kryeministri. Këtu e keqja fillon nga Edi Rama sepse i ka kapur të gjithë. Si mendojnë qytetarët që një drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit, ky që ka ardhur, do dalë kundër kryeministrit? Absolutisht! Për sa më përket mua, drejtorët e përgjithshëm të policisë së shtetit mund të zgjidhen nga komuniteti, jo nga kryeministri. Atëherë kemi një drejtor i cili është i paanshëm dhe do t'i shërbejë komunitetit. Ky nuk mund të dalë nga rreshti i kryeministrit, kryeministri ka kapur çdo gjë.
Sipas Dogjanit, sistemi i drejtësisë është kapur nga Edi Rama.
Dogjani: Po të shikosh në veting kanë shkuar djemtë dhe vajzat e partisë, ata që kanë lidhje me sistemin e kaluar të kryeministrit, ministrit. Këta e bëjnë vetingun në funksion të PS-së dhe qeverisë në pushtet.
Në gjykimin e zotit Dogjani rendi dhe siguria nuk bëhen me afate, por me strategji dhe plan.
