PD dhe PS u duhet dialog për reformat, Presidentin, Guvernatorin e BSH-së dhe Avokatin e Popullit

Reformat por edhe emërimet e disa krerëve të lartë të institucioneve i imponojnë Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste rrugën e komunikimit për të gjetur konsensus. Socialistët u shprehën të hapur për të diskutuar mbi ndryshimin e Kushtetutës për vettingun në politikë, reformën zgjedhore dhe territoriale. Po e njëjta fryme duhet të ruhet edhe për faktin se brenda kësaj legjislature do duhet të zgjidhet Presidenti i ri, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Avokati i Popullit.     

Legjislatura e re parlamentare, ndoshta ndryshe nga shumë legjislatura në të shkuarën, i dikton mazhorancës dhe opozitës nevojën e dialogut për disa nisma shumë të rëndësishme, por dhe për emërimin e disa  titullarëve të kupolës shtetërore.

Në këtë frymë duket se socialistët në pushtet po përpiqen të jenë konstruktiv në qëndrime kundrejt Partisë Demokratike në opozitë.

Sinjalet e para u dhanë kur u pranua hetimi i 25 prillit, ndërsa të martën Taulant Balla, u shpreh i gatshëm për të diskutuar mbi çdo nismë parlamentare, përfshirë këtu ndryshimin e Kushtetutës, për vettingun në politikë, reformën territorialë dhe reformën zgjedhore.

“Ne jemi 100% të hapur dhe plotësisht dakord që të diskutojmë çdo propozim që vjen nga opozita. do doja ta përshëndesja këtë qasje të re të opozitës parlamentare që vjen me propozime konkrete për t’i diskutuar. Ne do t’i shikojmë më vëmendje, do i diskutojmë me vëmendje. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë mënyrën e shqyrtimit të propozimeve për ndryshime Kushtetuese”-shprehet Balla. 

Por propozimet e PD-së për ndryshimet kushtetuese nuk janë të vetmet iniciativa që kërkojnë votat e të gjitha palëve në parlament.

Në fillim dy forcat politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për shtyrjen e afatit të vettingut në sistemin e drejtësisë, kërkesë kjo e dorëzuar në Kuvend dhe që palëve iu është parashtruar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Kjo legjislaturë duhet të zgjedhë edhe drejtuesit e disa institucioneve kryesore në vend, duke nisur nga Presidenti i Republikës, të cilit i mbaron mandati në korrik të vitit 2022, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Avokatin e Popullit dhe disa emra të rëndësishëm brenda kupolës së sistemit të drejtësisë./Ora News/