Rusia pret kontaktet me NATO-n, Lavrov: Do të flasim vetëm me Brukselin, mbyllet zyra e Moskës
Rusia dhe NATO kanë prerë kontaktet mes tyre. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, tha këtë të hënën se do të mbyllë edhe zyrën e NATO-s në Moskë. Arsyeja është dëbimi i 8 anëtarëve të trupit diplomatik rus nga përfaqësia e NATO-s me pretendimet se ishin "oficerë të padeklaruar të inteligjencës ruse".
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha këtë të hënë se Rusia do të pezullojë përfaqësinë e saj diplomatike në NATO.
Më herët këtë muaj do të ndodhte një incident që ndikoi në këtë vendim të Rusisë.
8 anëtarë të trupit diplomatik rus u përjashtuan nga përfaqësia e NATO-s me pretendimet se ishin "oficerë të padeklaruar të inteligjencës ruse".
Rusia do të pezullojë aktivitetet e misionit të saj në NATO duke filluar muajin e ardhshëm në përgjigje të dëbimit të tetë rusëve nga aleanca, tha të hënën ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Shefi i diplomacisë ruse tha më tej se personelit në misionin ushtarak të NATO-s në Moskë do t’i hiqet akreditimi nga 1 nëntori dhe se NATO mund të ndërveprojë me Rusinë përmes ambasadës së saj në Bruksel nëse është e nevojshme.
Ky veprim vjen pak ditë përpara mbledhjes së NATO-s në Bruksel me praninë edhe të sekretarit amerikan të Mbrojtjes Llloyd Austin.
Ai ndodhet në një vizitë në Europë dhe do të takohet me lidera të vendeve që lagen nga Deti i Zi, për të qëndruar sipas amerikanëve krah partnerëve kundrejt agresioneve ruse në rajon e më gjerë.
Aleanca veriatlantike është duke u përballur me sfida të ndryshme, teksa edhe vendet anëtare kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për disa çështje.
Sipas ekspertëve është duke u formuar një rend i ri botëror, çka e ka përsëritur shpesh edhe presidenti Biden, ndaj aleanca po merr masa të reja kundrejt sfidave si Kina, Rusia, terrorizmi dhe mbrojtja e përbashkët europiane.

