Kina mohon testimin e raketës hipersonike me aftësi bërthamore

Mediet amerikane raportuan javën e kaluar se Kina testoi një raketë hipersonike me aftësi bërthamore në gusht, duke kapur inteligjencën amerikane në befasi.

Ky lajm është mohuar këtë të hënë nga zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, ku tha se ishte një provë rutinë për të përmirësuar teknologjinë e anijeve kozmike kineze.

"Nuk ishte raketë, ishte një anije kozmike," tha ai. "Ky testim ka rëndësi të madhe për uljen e kostos së përdorimit të anijeve kozmike", tha zëdhënësi Zhao.

Ai shtoi se shumë vende kishin kryer prova të ngjashme në të kaluarën, ndërsa hodhi poshtë artikullin e “Financial Times” për testime raketash hipersonike me aftësi bërthamore.

Raportimi i ”Financial Times” shkaktoi shqetësim në Uashington, ku inteligjenca amerikane shkruhej se u kap në befasi. Raketat hipersonike janë shumë më të shpejta dhe më të vështira për t’u kapur, ndërsa amerikanët kanë një shqetësim në rritje për aftësitë bërthamore të Kinës.

Një anëtar Kongresit amerikan tha se kjo provë e kinezëve duhet të shërbejë si një thirrje për veprim për Amerikën, ndërsa Mike Gallagher, anëtar republikan i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, tha se nëse Uashingtoni do t'i përmbahej qasjes aktuale, do të humbte një Luftë të Ftohtë të re me Kinën brenda një dekade.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po zhvillojnë gjithashtu raketa hipersonike dhe muajin e kaluar Koreja e Veriut  tha se kishte testuar një raketë hipersonike të sapo zhvilluar.

Në një paradë të vitit 2019, Kina shfaqi armë të avancuara duke përfshirë raketën e saj hipersonike.