Sporti “bashkon” Shqipëri-Kosovë, kryeministri i Kosovës, Kurti në Shkodër: Populli para politikës
“Superkupa mbarëkombëtare” në Basketboll, do të mbyllë në Shkodër edicionin e parë të kampionatit që bëri bashkë skuadrat nga Shqipëria dhe Kosova! Gjysmëfinalja mes Vllaznisë dhe Prishtinës u ndoq edhe nga kryeministri i Kosovës, i cili tha se populli gjithmonë ka qenë para politikës për sa I përket çështjes së Bashkimit Kombëtar.
Shkodra, mikpriti gjysmëfinalen Vllaznia - Prishtina, e vlefshme për edicionin e parë të superkupës mbarëkombëtare në basketboll.
Ky moment i rëndësishëm bashkimi për të dy vendet, bëri që në tribunën vip të ishte kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sëbashku me përfaqësues të politikës nga vendi i tij dhe Shqipëria.
Edhe pse e nisën mirë, djemtë shkodranë nuk ja dolën të kalonin në finale, pasi u mundën me rezultatin e përgjithshëm 72-80 nga ekipi i Prishtinës.
Kuqeblutë e trajnerit Bulatoviç udhëhoqën nga minuta e parë dhe deri në fundin e pjesës së parë e cila u mbyll në shifrat 43-39.
Por vetëm kaq.
Në periodën e tretë ishte Prishtina ajo që falë një mbrojtje të mirë por edhe gjuajtjeve trepikëshe, ktheu rezulton dhe arriti fitoren!
Kurti: Është shumë kënaqësi të jem sonte në Shkodër, kjo që do të shohim midis Vllaznisë së Shkodrës dhe Prishtinës së Sigalit është më pak se ndeshje se jemi bashkë por është dhe më shumë se lojë se jemi bashkë. Besoj se që te kjo fushë e bashkimit tonë populli është para politikës kështu që ne politikanët le të ndjekim vullnetin e qytetarëve tanë.
Zëvendëstrajneri i Prishtinës Andin Rashica pas ndeshjes, ka dhënë edhe arsyen pse Prishtina arriti t’i përmbysë shifrat në pjesën e dytë.
Ndërsa nuk i kurseu kritikat për ekipet shqiptare lidhur praninë e shtuar të lojërave të huaj.
Finalja e këtij kompeticioni luhet në Shkodër mes Prishtinës dhe Eagle Yllit të Suharekës.
