Krimi i organizuar ngriti dorë mbi policinë, Kryepolici i Kosovës zbardh detajet e luftës me armë zjarri në Veri
Aksioni antikontrabandë i policisë së Kosovës në Mitrovicë është shndërruar në një betejë me armë. Forcat e sigurisë janë përballur me plumba dhe granata.
10 efektivë janë lënduar nga reagimi i dhunshëm i banorëve, ndërsa 8 persona janë arrestuar dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në deklaratën për mediat, ministri i Brendshëm i Kosovës së bashku me Drejtorin e policisë denoncuan me fakte dhunën.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, foli për një kordinim të krimit të organizuar me qëllim pengimin e punës së policisë.
Mehmeti: Në orët e para të mëngjesit është ndërmarrë një operacion në bashkëpunim me doganën e Kosovës për lufimin e kontrabandës në komunën e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe në Zveçan. Kemi bërë kontrolle në lokacione të dyshuara, sekuestrim të mallrave të kontrabanduara dhe arrestim të personave të dyshuar.
Veprimet policore janë realizuar në kordinim me prokuroritë dhe gjykatat me urdhër të cilave janë kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme, shtëpi, lokale, magazina të mallrave. Operacioni ka nisur një vit më parë, veprimet operacionale janë zhvilluar gjatë gjithë kohës.
Në të gjitha rajonet e tjera operacioni ka kaluar pa problem, në Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar dhe kanë krijuar bllokime të rrugëve, kanë hedhur bombola gazi, kanë përdor mjete transportuese për bllokim rrugësh, kanë shtënë me armë të ndryshme zjarri dhe kanë hedhur granata dore.
E gjendur në të tilla rrethana, sqaroi Mehmeti, policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjete të ndryshme dhe të nevojshme ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtare të policisë të përfshirë në operacion por edhe qytetarëve të tjerë që nuk kanë qenë të përfshirë në këto veprime.
Hetim për dekonspirim të operacionit
Operacioni ka mbuluar dy raste dhe ka qenë i kordionuar, njëri i koduar "Rio" dhe tjetri "Mjekra".
Ishin planifikuar për kontroll 26 lokacione, prej tyre 1 në Prishtinë, 6 në Pejë, 10 në Mitrovicën e Jugut, 5 në Mitrovicën e Veriut dhe 4 në Zveçan.
Dyshohet se lidhur me operacionin ka pasur një lloj rrjedhje të informacionit, tha Mehmeti, duke shtuar se po hetohet për këtë.
"Në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan nga 9 lokacione për kontroll është arritur të fillohet kontrolli në 9 lokacione por në 8 lokacione nuk u bë e mundur përfundimi në terësi për shkak se njësitë policore dhe doganore u penguan për të zbatuar urdhrin e gjykatës. Një numër i madh qytetarësh u tubuan dhe penguan zyrtarët policorë për të zbatuar urdhrin e gjykatës.
Qytetarë të ndryshëm në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan kanë blllokuar ose kanë tentuar të bllokojnë rrugët me qëllim që të pengojnë zhvillimin e operacionit. Gjatë zhvillimit të operacionit dhe gjatë kthimit të njësive policore dhe doganore ka pasur sulme në drejtim të tyre nga ana e disa qytetarëve, si gjuajtje të drejtëpërdrejta me armë, hedhje të granatave të dorës, hedhje të shok-bombave, ka pasur hedhje të granatave të dorës luftarake" tha Mehmeti.
Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë.
Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, 10 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 7 zyrtarë të nacionalitetit shqiptar.
"Janë lëndime të lehta, jashtë rrezikut për jetën."
Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
"Nuk e kemi konfirmuar ende nëse lëndimi i marrë është nga policia apo gjuajtjet që kanë ndodhur nga qytetarë të ndryshëm që kanë tentuar të pengojnë operacionin" tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Po kështu disa automjete të zyrtarëve janë dëmtuar, një pjese u është vënë zjarri, të tjera janë goditur me mjete të forta.
Deri në këtë fazë janë arrestuar 8 persona dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim, si dhe janë konfiskuar mallra të ndryshme me vlerë qindra mijëra euro.
Barnatorja ku u sulmua policia në pronësi të një shqiptari
Duke mbetur sërish te operacioni i sotëm, ai tha se "rreth orës 11: 00 të ditës së sotme të gjitha njësitë policore që kanë marrë pjesë në operacion e kanë përfunduar operacionin dhe janë tërhequr".
Mehmeti ndau me mediat dhe një informacion të orëve të fundit.
"Lokalin që e keni parë të gjithë, barnatoren ku u sulmuan policët është një lokal i një shqiptari që jeton dhe punon në Mitrovicën e Veriut. Është i njohur për veprimtari kriminale dhe është në kërkim. Pjesëtari i lënduar në protestat e sotme është një qytetar që ka precedent penal. Në 2011 është akuzuar për vjedhje të rëndë."
Ai tregoi edhe disa fotografi nga operacioni i sotëm.
"Po u tregoj me çfarë u përball policia sot. Është foto e autoblindit dhe kjo një predhë e hedhur nga armët e gjata, shenja nga granata e dorës, kjo është gjuajtje nga armët e gjata, plumb i kalibrit të madh".
Ai nënvizoi se operacioni ka filluar nga zyrtarët policorë, zyrtarët hetues, pjesëtarë të doganës dhe njësitë e reagimit të shpejtë.
Ndërhyrja e njësive speciale ka ardhur për shkak të sulmeve ndaj policisë.
"Jemi detyruar të përdorim njësitë speciale dhe mjete të tjera në dispozicion, qoftë gazi lotësjellës apo mjete të tjera për sigurinë e zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë në operacion."
Mehmeti tha më tej se operacioni policor ka përfunduar dhe situata në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Zveçanit është e qetë.
"Veprime të mëtejshme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim me doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë. Policia e Kosovës do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale, kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimin e grupeve kriminale."
Shefi i diplomacisë evropiane Borrel në reagimin e parë kërkoi ndalimin e operacioneve të njëanshme, por në deklaratë u bë e ditur se si Prokurori dhe gjykatësja janë të kombësisë serbe, ndërsa ndër të ndaluar ka dhe shqiptarë.
Nga ana e tij kryeministri, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë tolerancë në luftën ndaj kontrabandës.


