Kriza humanitare në Afganistan / BE dhe 20 shtete të botës do ndajnë 1 miliard euro ndihma

Komuniteti ndërkombëtar do i ndajë Afganistanit 1 miliard euro ndihma prej rrezikut të katastrofës humanitare.

Vendimi u mor të martën nga G20-ta, grupi që përfshin Bashkimin Europian dhe 20  shtete të botës të shqetësuara për çështjet e ekonomisë globale.

Ndihmat do u shpërndahen organizatave ndërkombëtare dhe vendeve fqinje që po strehojnë afganët të cilët janë larguar nga vendi kur pushteti ra në dorën e talibanëve.

Qeveria e tyre ende nuk njihet nga asnjë shtet tjetër.

"Qeveria talibane duhet të krijojë kushtet që Kombet e Bashkuara dhe vendet e tjera që po e ndihmojnë, të hyjnë e të dalin lirshëm nga vendi," tha kryeministri italian, Mario Dragi.

Në Afganistan po afron dimri por edhe frika e një zie buke pasi bankat nuk kanë më para të ndajnë, nëpunësit e shtetit nuk po paguhen ndërkohë që çmimet e ushqimeve janë rritur mjaft.

"Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrijë e të shikojë 40 milionë njerëz në kaos sepse nuk kanë energji elektrike dhe nuk ka një sistem financiar funksional," deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në samitin virtual të së martës morën pjesë edhe presidenti amerikan Joe Biden shumë liderë nga Europa, ndërsa presidentët e Kinës dhe Rusisë dërguan përfaqësuesit e tyre.

Pekini ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve ekonomike dhe që Kabulit t'i kthehen miliarda dollarë asete financiare të bllokuara jashtë shtetit, kryesisht në Amerikë dhe Britani, por liderët e G20-ës nuk e përmendën këtë kërkesë në deklaratën finale.