Diktatori i Koresë Veriore: Duam ushtri të pamposhtme
Koreja e Veriut dëshiron të krijojë një ushtri të pamposhtshme, jo për qëllime lufte por për mbrojtjen e vendit.
Shteti aziatikolindor organizoi ekspozitë me një llojshmëri raketash të prodhuara vetë, tanke dhe pajisje luftarake ku foli edhe kryeshtetari Kim Xhong-un.
Ai përmendi shtimin e trupave ushtarake në Korenë Jugore dhe tha se Veriu nuk po mendon t'i hapë luftë vendit fqinj.
"Nuk po diskutojmë për luftë por si ta parandalojmë atë dhe të rritim fuqinë parandaluese për të ruajtur sovranitetin. Amerika shpesh na sinjalizon se nuk është armikja jonë, por në terren nuk ka pasur arsye që ta besojmë këtë. Që pasaardhësit tanë të jenë të fortë, duhet ne të parët të forcohemi," tha udhëheqësi koreanoverior.
Shtetet e Bashkuar me presidentin Xho Bajden në krye i kanë thënë Phenianit se duan të vijojnë bisedimet diplomatike nëse vendi heq paraprakisht dorë nga armët bërthamore dhe testimi i raketave balistike që kërcënojnë edhe Amerikën.
Agjencia e OKB-së për armët atomike njofton se Koreja e Veriut ka rindezur reaktorët bërthamorë që prodhojnë metalet me veti radioaktive, si plutoniumi, i cili përdoret për armatimet.
Për shkak të pandemisë, vendi aziatik, ndërkohë, po kalon periudhë të vështirë ekonomike pasi është izoluar për furnizimet me ushqime dhe karburant edhe nga Kina, aleatja e tij politike dhe ekonomike.


