Sulmi vetëvrasës me dhjetëra viktima në xhaminë e Afganistanit, ISIS merr përgjegjësinë

Celula afgane e Shtetit Islamik e ka marrë përsipër sulmin kamikaz të së premtes në një xhami të Afganistanit.

Ngjarja la dhjetëra të vrarë në qytetin verilindor të Kunduzit.

Grupi terrorist njoftoi se një kamikaz shpërtheu jelekun me eksploziv në mesin e qindra besimtarëve të sektit shiit teksa ata faleshin brenda xhamisë.

Militanti kamikaz mësohet se ishte mysliman i pakicës ujgure, që sipas terroristëve, po dëbohen nga vendi si nga grupet shiite, edhe nga talibanët të cilët tani kanë pushtetin në Afganistan.

"Ata që e kryen këtë duan të krijojnë probleme mes shiitëve dhe sunitëve, por ta dinë se këto 20 vite as nuk ka pasur, as nuk do të ketë përplasje. Garantojmë vëllezërit shiitë se do i mbrojmë, se Zoti e di që pleqtë dhe i tërë kombi sot është i hidhëruar," tha shefi i sigurisë i Kunduzit.

Celula e Shtetit Islamik në provincën e Korasanit është themeluar në vitin 2015 nga talibanë pakistanezë të pakënaqur me regjimin e vjetër afgan dhe tani me talibanët, pasi kanë bindje edhe më ekstreme në interpretimin e Islamit.

Qeveria talibane dyshon se anëtarët e grupit janë ish-ushtarë të saj dhe ka urdhëruar verifikimin e forcës aktuale të sigurisë pasi mund të ketë të infiltruar./OraNews/