Kriza energjetike, Basha: Ulje e TVSH-së për ushqimet, heqje e taksës për karburantin
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, propozoi në seancën plenare të Kuvendit, shtatë pika për të përballuar situatën e krizës globale të energjisë.
Duke folur në Kuvend për situatën aktuale, Basha tha se këto janë disa masa emergjente që duhet të merren për të lehtësuar sadopak familjet shqiptare.
Basha: E para është heqja e taksës Rama, prej 240 lekësh për litër karburanti. Erdhi në pushtet me premtimin që do të ul çmimin e karburantit, bëri të kundërtën. Tani është momenti t’i lehtësojë qytetarët nga kjo taksë që mund të shtojë konsumin e tyre dhe ulë çmimet e prodhimit në çdo fushë të ekonomisë. E dyta është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ne e kemi gati propozimin tonë, si masë emergjente, e shoqëruar me monitorimin e duhur që përfituesit të jenë konsumatorët dhe jo spekulantët, kjo masë do të lehtësoj disi lakun që rritja e çmimeve ka hedhur mbi qafën e drobitur të familjeve shqiptare. E treta nuk mund të quhet as masë, por është vetëm inkurajim që të respektohet ligji, dhe lidhet me faturimin e sasisë dhe të çmimit real të konsumit të energjisë që oligarkët me të cilët hani dhe pini nga mëngjesi në darke, që keni apo ju kanë në patronazhim, konsumojnë të favorizuar nga ju, në kurriz të qytetarëve.
Si pikë të katërt Basha renditi subvencionimin e çmimit të energjisë për qytetarët, një masë kjo që sipas tij po aplikohet edhe në vendet e BE-së.
Më tej kreu i PD propozoi ndaljen e shpenzimeve të shfrenuara dhe luksoze dhe ristrukturimin e buxhetit.
Basha: E pesta është mirëmenaxhimi dhe ndalja e shpenzimeve të shfrenuara dhe luksoze të OSHEE dhe KESH, të cilat janë kthyer në zhvatëse të parave të qytetarëve, dhe e kanë çuar për skrap të ashtuquajturën reformë që trumbetuat në fushën e energjetikës, por që vetëm ka rritur çmimin e energjisë duke e bërë më të lartin në rajon, ndërsa humbjet vijojnë, vjedhjet vijojnë sepse këto institucione janë kuvli militantësh hajdutë që vetëm mbushin valixhet për vete e për t’ia dorëzuar shefave lart e më lart e më lart.
E gjashta, ristrukturim i buxhetit për t’u bërë gati për ta vendosur atë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së tyre, e jo pushtetarëve dhe të klientëve tuaj. E di që kjo është pikë e dhimbshme për ju, sepse duhet të hiqni dorë nga rrugët e florinjta me 20 milionë euro kilometri, nga koncensionet apo nga shpenzimet e luksit, por në këtë moment nuk ka zgjidhje edhe-edhe, edhe qytetarët edhe oligarkët, jo, ky është një moment ose-ose, ose qytetarët, ose oligarkët dhe pushtetarët e babëzitur që nuk shqiten nga benevrekët e tyre. E shtata është më shumë para për shtresat në nevojë.
Basha nënvizoi se këto nuk përbëjnë një zgjidhje afatgjatë, pasi sipas tij Shqipëria ka nevojë për reforma strukturore në fushën e energjisë, burimeve natyrore, të bujqësisë, të kërkimit dhe dijes.
