Erë dhe rebeshe shiu, pezullohet lundrimi i peshkarexhave, gurë e dhe në rrugë

Moti i keq me reshje shiu dhe erë ka përshirë vendin duke krijuar problem në disa zona.

Në qytetet portuale, anijet e vogla dhe peshkarexhat janë ndaluar të dalin në det, pasi mund të rrezikohet jeta e peshkatarëve ose personave të tjerë.

Ndërsa tragetet e linjave me Italinë vijojnë punën normalisht.

Bazuar mbi parashikimet se orët në vijim mund të sjellin reshje të dendura shiu, bashkia e Vlorës ka ngritur alarmin për rrezikun e përmbytjeve dhe u kërkon qytetarëve që tregohen të kujdesshëm.

Reshjet e para rikthyen problematikat edhe në Juglindje.

Aksi rrugor Lozhan Moglicë në Korçë u bllokuar për shkak të daljes nga shtrati të përrenjve malorë.

Rrëshqitje gurësh dhe dherash pati në disa rrugë nga veriu në jug, por nuk ka raportime për bllokime.

Policia Rrugore dhe ARRSH u bëjnë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën  për shkak të rrezikut nga lagështia dhe rrëshqitjet e mundshme.

Sipas meteorologëve vendi do të jetë I përfshirë nga reshje me intensitet mesatar dhe herë pas here lokalisht intensiv. Temperaturat e ajrit do të variojnë nga 6°C deri në 23°C.

/Ora NEWS/