Manastirliu: Diskutohet opisioni për dozën e tretë të vaksinës dhe ulja e fashës nën 18-vjeç

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë seancës parlamentare, se po diskutohet bërja e dozës së tretë të vaksinës  dhe ulja e fashës nën moshën 18 vjeç, sigurisht nëse vendoset dhe propozohet nga  Komiteti i Ekpertëve.

"Çdo qytetar duhet të nxitet për tu vaksinuar duke filluar nga ne, këtu në sallë. Nuk po flas vetëm për popullatën mbi 18-vjeç e cila është popullata target, por po flas edhe për dozat e treta edhe për uljen e fashës nën 18-vjeç nëse ekspertët do të vendosin," u shpreh Manastirliu.

Manstirliu shtoi se akti normativ i paraqitur në Kuvend ditën e sotme do të sigurojë brenda 3 muajve të ardhshëm 500 mijë dozave të Pfizer.

"Akti normativ që miratojmë sot, i hap rrugë sigurimit në një kohë shumë të shpejtë, brenda 3 muajsh, të 500 mijë vaksinave Pfizer, seria e parë e të cilave vjen brenda tetorit. Është hapi i radhës, në një seri tashmë të panumërt hapash, në rrugëtimin tonë të nisur prej muajit dhjetor, për të sjellë në Shqipëri vaksina të sigurta dhe të certifikuara."

Gjithashtu ajo tha se kanë mbërritur dhe kanë nisur të shpërndahen 188 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, falë mbështetjes së Italisë si pjesë e instrumentit Covax.

“Kanë mbërritur dhe po shpërndahen sot edhe 188 mijë doza vaksine AstraZeneca, falë mbështetjes së Italisë mike, si pjesë e instrumentit COVAX, duke mbërritur në mbi 2 milion 262 mijë doza të ardhura në vend. Brenda këtij viti do të arrijmë në mbi 3 milion doza të mbërritura, dhe mbi 5 milion doza deri në vitin 2022, me kontrata e marrëveshje tashmë të siguruara”, tha Manastirliu.

Sipas ministres deri më tani është vaksinuar rreth 45 % e popullatës target me dozën e parë dhe 37% me dy doza.

“Sot kemi mbi 1.7 milion vaksinime të kryera. Janë vaksinuar me 1 dozë, rreth 45% e mbi 18 vjeç dhe me dy doza mbi 37% e atyre mbi 18 vjeç. Këto shifra janë sipas përcaktimit të ekspertëve dhe aspak meje, përbëjnë popullsinë target +18 vjeë. Nëse përfshijmë edhe nga 1 vjeç e lart, mbulesa është mbi 35% me një dozë dhe pothuaj 29 % e vaksinuar plotësisht”, tha Manastirliu.