Basketbolli humbet një legjendë, Pau Gasol njofton tërheqjen

Një nga lojtarët më emblematik të basketbollit europian dhe botëror, Pau Gasol ka njoftuar tërheqjen si një sportist profesionist.

Basketbollisti legjendar, i kurorëzuar kampion bote me Spanjën në 2006 dhe fitues i dy titujve në NBA, njoftoi të martën se do t’i japë fund karrierës së tij në moshën 41-vjeçare.

"Sot jam këtu për t'ju thënë se çfarë të prisni, do të tërhiqem nga basketbolli profesionist. Është një vendim i vështirë por i menduar mirë. Nuk doja të përfundoja karrierën me paterica apo me ndonjë operacion. Jam i lumtur që përpara se të tërhiqesha fitova edhe një titull me skuadrën që nisa të luaja që 18-vjeç, Barcelonën”, u shpreh sportisti legjenda.

Pivoti 41-vjeçar, i kurorëzuar kampion bote me Spanjën në 2006, dhe kampion i dyfishtë i NBA me Lakers (2009, 2010), bëri njoftimin gjatë një konference për shtyp, për t'i dhënë fund karrierës së tij, pas 23 sezoneve si profesionist dhe konsiderohet si lojtari më i mirë në historinë e basketbollit spanjoll.

Pau Gasol bëri debutimin e tij në 1998 me FC Barcelona. Fitues i kampionatit kombëtar brenda klubit katalanas, ai më pas zbarkoi në Shtetet e Bashkuara, në Memphis, pika fillestare e një qëndrimi të gjatë në NBA (2001-2019).

Ishte në Los Angeles, me Lakers, aty ku spanjolli pati suksesin e tij më të madh pasi ishte një ndër më të mirët kur i ofroi vetes dy unaza të NBA (2009 dhe 2010). Gasol më pas i vijoi karrierën po në NBA me Chicago Bulls, Spurs dhe më në fund Milcaukee Bucks, në vitin 2019. Me probleme nga një dëmtim i këmbës, ai më në fund u kthye te FC Barcelona në vitin 2021 ku arriti të fitonte një titull të ri në ligën spanjolle./Ora News/.