Mancini sfidon Spanjën: Nuk duam të humbasim deri në Kupën e Botës
Nesër në “San Siro” luhet gjysmëfinalja e parë “Final Four” të Nations League. Italia fatmirësisht do të presë në stadiumin mitik rivalët e Spanjës në një përballje që do të vendosë edhe finalistin e këtij formati. Mancini në konferencën për shtyp u shpreh tepër i qetë edhe pse pranoi se ka probleme me sulmin pasi i mungojnë lojtarët me të cilët u paraqit dhe fitoi në Euro 2020.
“Kemi disa probleme, na mungojnë dy qendërsulmuesit e Europianit. Gjithsesi ne kemi Kean dhe Raspadori, dhe më pas shumë lojtarë ofensivë por do të shohim se cila do të jetë zgjidhja më e mirë.. Ne gjithmonë duam të fitojmë, e dimë se do të varet nga ne mundësia për të shkuar në finale. Kemi Chiesan në formë dhe nuk e di nëse do të bëjë dot sulmuesin në këtë skuadër ashtu siç e bëri me Juven. Nations League është event me rëndësi, vjen pas Europianit dhe ta përgatisësh në kaq pak kohë është disi e vështirë por janë dy ndeshje mes 4 skuadrave më të mira në Europë dhe ne duam të përmirësohemi e të fitojmë”.
I ngacmuar për deklaratat e Luis Enrique se një ditë edhe Italia do të humbasë, nuk vonoi reagimi i Mancinit me diplomacy teksa shpjegoi se do të synojë gjithmonë lojtarë të rinj për të përmirësuar lojën.
“Enrique ka të drejtë, herët a vonë do të ndodhë që të humbasim por do të donim të vazhdonim kështu deri në dhjetor të 2022, por e dimë që nuk do të jetë aq e thjeshtë. Në Euro 2020 ndaj Spanjës, ne vuajtëm në atë ndeshje, ishte një gjysmëfinale dhe na vuri në vështirësi në zotërimin e topit, ata e kanë bërë atë për 20 vjet dhe për këtë ata janë para nesh. Duhet të përmirësojmë këtë situatë loje, të bëhemi më të shpejt. Kemi lojtarë të rinj që duhet të luajnë ndeshje të rëndësishme, kemi 14 muaj të rëndësishëm dhe duhet të luajmë më mirë dhe më mirë, në mënyrë ofensive dhe të balancuar.", përfundoi trajneri italian./Ora News/.
