BE debat për strategjinë e mbrojtjes, nuk ka pajtim për qëndrimet ndaj superfuqive
Bashkimi Europian nuk po pajtohet dot për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj superfuqive si Amerika dhe Kina.
Udhëheqësit e 27 shteteve anëtare u mblodhën në Bërdo të Sllovenisë për të diskutuar idenë se unionit i duhet një forcë e re mbrojtëse e pavarur nga Amerika dhe NATO-ja, për shkak të kaosit që krijoi tërheqja nga Afganistani në gusht, dhe pak javë më parë, prej paktit të fshehtë që amerikanët arritën për të pajisur Australinë me nëndetëse, duke mënjanuar paktin me Francën.
"Duhet të ndërtojmë një Europë më të fortë në planin teknologjik, industrial, ekonomik, financiar dhe ushtarak. Mund ta ruajë mirëbesimin me partnerët dhe aleatët tanë historikë, por Europa ka edhe pavarësinë, sovranitetin e vet," tha presidenti francez, Emanuel Makron.
Ata që mbrojnë idenë e një force europiane mbrojtëse shtojnë se arsyet për të janë të qarta: Amerika po kthehet nga Azia; Britania ka dalë nga unioni; dhe Rusia po bëhet më agresive.
"Duke nxjerrë mësime nga krizat e fundit, ne duam të konsolidojmë fuqitë tona dhe të forcojmë kapacitetet tona duke ulur varësitë kritike," u shpreh Sharl Mishel, shefi i Këshillit Europian.
Ka shtete të BE-së që e mbështetin nismën e Francës, por të tjerë, si vendet baltike dhe nordike nuk e kanë kritikuar hapur Uashingtonin pasi e shohin si mburojë kundër Rusisë.
Ndërkohë që mbahej samiti, të martën Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, udhëtoi në Paris për të tentuar të rregullojë raportet e acaruara.
Presidenti Makron tha se me homologun Biden do të takohen në fund të muajit në Romë.


