Kisha Katolike franceze kërkon falje për skandalet e priftërinjve me të miturit, 216 mijë viktima në 70 vjet

Mbi 200 deri 330 mijë fëmijë besohet të jenë abuzuar nga priftërinjtë dhe misionarët e Kishës Katolike Franceze që nga viti 1950. Kisha kërkoi të martën falje për aktet e vartësve të saj dhe premtoi veprime kundër atyre që po e skandalizojnë atë dhe besimtarët e krishterë.

Kisha Katolike Franceze thotë se është tronditur nga skandali se mbi 200 mijë fëmijë janë abuzuar seksualisht prej 70 vitesh nga kleri dhe shërbyesit e saj.

Komisioni i pavarur i ngritur me nismë të vetë peshkopëve të Francës zbuloi të martën se 80 për qind e viktimave janë meshkuj të mitur, të moshave kryesisht 10 deri 13 vjeç, dhe 20 për qind e të abuzuarve, vajza të disa grupmoshave.

Dëshmitë e tyre nisën të përpilohen në vitin 2018 dhe janë përmbledhur në një dokument 2,500-faqësh që u prezantua nga Zhan-Mark Sove, kreu i hetimeve për abuzimet seksuale në Kishë.

"Nëse i shtojmë 216 mijëve viktimat e ndihmësve të Kishës, atyre që marrin pagë ose vullnetarë që japin mësimin e fesë, katekizmin apo priftërimin në ambientet katolike ose për të rinjtë, numri i viktimave rritet nga 216 mijë në 330 mijë. Pra, mbi 34 për qind të abuzimeve në Kishën Katolike u kryen nga persona që nuk janë pjesë e klerit."

Kisha Katolike Franceze ka mbi 115 mijë priftërinj dhe klerikë të tjerë, nga të cilët 3,200 mendohet të jenë abuzues.

Fransua Dëvo, i cili drejton shoqatën "Fjalë e Çlirët" për viktimat e abuzimit nga kleri, tha se ata tradhtuan besimin, moralin dhe vetë fëmijët.

"Raporti hedh dritë mbi Francën, mbi katolikët, mbi viktimat por ndriçon edhe gjithë njerëzimin. Përfundimet nga ky raport aplikohen për Spanjë, edhe më shumë për Italinë për shkak të lidhjeve fetare, që do i shtyjë të kryejnë hetimet e veta edhe më të thelluara."

Por shumë abuzime të pretenduara nga ta janë kryer dhjetëra vite më parë dhe nuk mund të ndiqen penalisht, ndaj Kishës i është bërë thirrje t'i dëmshpërblejë viktimat.

I pari i peshkopëve të Francës u lut për falje.

"Po jua them me turp, me hidhërim dhe me vendosmëri se do të veprojmë që të mosshikuarit, të mosdëgjuarit dhe dëshira për t'i fshehur apo për t'i maskuar faktet, për të mos i denoncuar ato publikisht, të mos ketë më vend te autoritetet kishtare, te priftërinjtë, te shërbyesit dhe te gjithë besimtarët."

Komisioni për abuzimet seksuale në kishat franceze përfshiu 22 profesionistë ligjorë, doktorë, historianë, sociologë dhe teologë të cilët hetuan pretendimet për abuzime nga kleri francez duke u kthyer pas në kohë, deri në vitet 1950.