SPAK sekuestron dosjen e tenderit në burimin e Sinecit, pritet thirrja e kryebashkiakut Hajdari
Ndërtimi nga ana Bashkisë së Kuçovës dhe kompanisë “Salillari” i një Ujësjellësi në kanionin e lumit Sinec, ka bërë që prokuroria e posaçme SPAK, të nisë hetimet.
Prokuroria është vënë në lëvizje pas kallëzimit të bërë nga 123 banorët e fshatit Lumas, të cilët kërkojnë ndjekjen penale të kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, dhe drejtuesve të kompanisë së ndërtimit “Salillari”.
Hetimi udhëhiqet nga prokurori, Altin Dumani, i cili mësohet se ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin pranë Bashkisë së Kuçovës, duke nisur verifikimin me imtësi të praktikës ligjore për procedurën tenderuese dhe shpalljen e fituesit.
Në këtë rast fitues është kompania “Salillari”, e cila është bërë objekt e hetimit të kryer nga ana e prokurorit Altin Dumani.
Çështja tashmë ka hyrë në një gjykim administrativ, ndërsa në “lojë” është futur dhe prokuroria e posaçme SPAK, ku po heton nëse në këtë rast ka elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Pabarazisë në tendera”.
Pas konsultimit me dokumentacionin, prokuroria e Posaçme SPAK, në ditët në vijim do thërrasë për të marrë në pyetje kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, anëtarët e Komisionit të Ofertave dhe zyrtarët e Drejtorisë së Urbanistikës së kësaj bashkie si dhe përfaqësues të kompanisë "Salillari".
Sipas banorëve të zonës, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ka miratuar leje ndërtimi të një Ujësjellësi, në kanionin e Lumit Sinec, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre, me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002.
Në këtë zonë ndodhet një burim uji, i cili është pjesë e këtij Monumenti Natyror.
"Bashkia Kuçovë, nëpërmjet kryetarit të bashkisë Kreshnik Hajdari, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe pikërisht leja Infrastrukture e datës Tetor 2020, e cila do të ndërtohet në kanionin e lumit Sinec,e cila është zonë e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre”-thuhet në padinë penale.
Më tej në këtë kallëzim nënvizohet se "ndërtimi i këtij Ujësjellësi kalon limitet e një krimi pasi në Lumas, Pëllumbas, Shqezë, Vodez, Bardhaj, janë ndërtuar 4 ujësjellësa dhe kjo zonë nuk ka nevojë për ujë ashtu siç pretendon Bashkia që ka konkluduar në dhënien e lejes së ndërtimit”.
Prej mëse tre muaj banorët e kësaj zone protestojnë kundër ndërtimit të Ujësjellësit, me argumentin se tenderi i bashkisë së Kuçovës me vlerë 361 milion lekë të reja, është një aferë korruptive e kryebashkiakut Hajdari dhe biznesmenit të kompanisë “Salillari”.
Ndërsa tashmë SPAK ka nisur hetimet për këtë çështje.
