“Të moshurit janë bekim”, Sadaj: Më mirë të socializohen nëpër qendra se sa të rrinë mbyllur në shtëpi
Jo të gjithë të moshuarit jetojnë me familjarët e tyre. Ka shumë prej tyre që nuk kanë familjarë ose kanë mbetur të vetëm.
Administratorja e Shtëpisë së të moshuarve “Rreze të Jetës”, Lili Sadaj, shprehet se ka 15 vite që drejton rezidencën, teksa shton se në fillim ka hasur vështirësi, për shkak të mentalitetit që kishin njerëzit.
E ftuar në emisionin ‘Jeto me Orën’, në RTV Ora, Sadaj thekson se është më mirë që të moshuarit të socializohen nëpër qendrat përkatëse për ta sesa të qëndrojnë në shtëpi.
"Kam 15 vite që drejtoj dhe menaxhojë rezidencën e të moshuarve “ Rreze të jetës”, u rrita me to. Unë e kam si familje të madhe dhe ashtu do e quaj deri në fund. Asokohe ishte shumë e vështirë. Në atë kohë ishte mentaliteti që njerëzit e kishin të vështirë të mendonin se do të hiqnin të dashurit nga shtëpia. Po emigracioni dhe vështirësitë që i dalin në jetë bën atë, që për mua është një zgjidhje, dërgimi në shtëpinë e të moshuarve.
Është më mirë se të moshuarit të socializohen nëpër qendra, sesa të rrinë mbyllur në shtëpi. Është një zgjidhje e duhur, sepse ato prindër kanë kontribuar gjithë jetën e tyre kanë financuar te fëmijët, kanë bërë më të mirën. Unë bëj thirrje që këtyre prindërve t’u jepet ajo që ata kërkojnë. Aty ka njerëz që përkushtohen, që japin dashuri, kanë 24 orë shërbim. Sytë e tyre tregojnë gjithçka. Nuk ndihet ndryshimi i familjes së vogël dhe ndryshimi i familjes së madhe."
Sadaj ka treguar dhe se si erdhi ideja që shtëpia të mbante emrin “Rreze të Jetës”.
"Unë mendova t’i vinim një emër të bukur ashtu siç ato e meritojnë. Ky emër më tingëlloi. Mendova që rrezet e fundit të jenë të unë. Ato shtëpinë time e kanë mbuluar me rreze."
Ajo thotë se kujdesi për të moshuarit e bën të ndihet e lumtur ndërkohë shton se në punën që bënë nuk ndjen lodhje. Ajo shprehet më tej se të moshuarit janë bekim.
"Duhet një natë dimri që unë të shpjegohem sesa mirë ndihem kur në fund të ditës bëj bilancin me veten dhe kam arritur rezultat të lartë se kam dhënë dashuri dhe lumturi te ato njerëz. Ata më shikojnë si një engjëll, unë jam e bekuar me to. Unë mundohem që t’u jap gjithçka që kanë nevojë, sepse fëmijët i kanë larg, i kanë emigrant. Ato më thonë të kemi vajzë. Unë nuk ndjej lodhje me këtë punë.'" shprehet ajo./ Ora News/
