“Policëve u mbaruan plumbat”, avokatët e miqve të Aldi Ramës: U frikësuan pas vrasjes së kolegut
Gjykata e Lezhës la në burg dy miqtë e 21-vjeçarit Aldi Rama i cili ekzekutoi nënkomisarin Saimir Hoxha. Ndërkohë pas vendimit të gjykatës, avokatët e shtetasve Armando Marku dhe Kristian Sherri thanë se policët kishin shkuar në aksion të pa armatosur. Sipas tyre, efektivave u kanë mbaruar plumbat, ndërkohë që kanë qenë të frikësuar gjatë përballjes me autorin e vrasjes.
Gjykata e Lezhës la në burg pa afat dy personat që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën ditën e vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha, ndërkohë që avokatët tyre ngritën akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit.
Avokati i shtetasve Armando Marku dhe Kristian Sherri, miq të Aldi Ramës, tha se policëve u kanë mbaruar plumbat në vendin e ngjarjes teksa autori i krimit Aldi Rama po largohej.
"E vërteta qëndron se policia ka pjesën e vet. Në momentin që ka ndodhur ngjarja policia ka qenë pa kurrfarë shenje dalluese se janë policë shteti. Tani mediet, Gjykata dhe Prokuroria po mundohen të mbrojnë veprimet e paligjshme të policisë së shtetit. Se policëve kur u janë mbaruar fishekët janë trembur dhe ata, më shumë se këta".
Jashtë dyerve të Gjykatës, avokatët e dy të rinjve të akuzuar për moskallëzim krimi thanë se klientët e tyre jo vetëm që nuk kishin lidhje me ngjarjen, por ata kanë ndihmuar efektivët e policisë, që sipas tyre ishin të frikësuar pasi kolegu i tyre u ekzekutua.
"Pretendimet e organit të akuzës janë se dy të mbrojturit prej nesh kanë kryer veprën penale të "moskallëzimit të krimit.Ngjarja është e hapur, ka ndodhur në mes të policisë, nuk kanë pasur lidhje fare me vrasësin të ndjerë. Këta që ne mbrojtëm sot po të kishin lidhje do të kishin ikur me atë që vrau policin, por kanë ndenjur me 2 policë. Armando Marku dhe Kristian Sherri mund të kishin ikur prej policisë se ishin djem më të fuqishëm se dy policët, policët nuk kishin më fishekë por e kanë ndihmuar policinë për ta vënë në autoambulancë policin e plagosur."
Në sallën e gjyqit, Armando Marku dhe Kristian Sherri kanë deklaruar se ishin takuar me Aldi Ramën mëngjesin e 28 shtatorit dhe kishin shkuar në zonën e Ishull Lezhës aty ku ndodhi ngjarja e rëndë, për të pirë hashash.
Prokuroria i akuzon shtetasit Armando Marku dhe Kristian Sherri se kanë pasur dijeni se Aldi Rama ishte i armatosur dhe nuk kanë njoftuar organet e rendit.
Pikërisht gjatë kontrollit në automjetin e të riut Aldi Ramën qëlloi nga sedilja e pasme me dy plumba efektivin e policisë kriminale Saimir Hoxha, i cili ndërroi jetë në vend.
