Situata në Veri, Rama: Kujdes me njësitë speciale, në vend të demonstrimit të forcave ushtarake të jetë dialogu
Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Prishtinë. Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij Albin Kurti, Rama përsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me reciprocitetin e targave dhe situatën në veri të Kosovës. Ai tha se qeveria shqiptare ka bindjen që problemi duhet të zgjidhet me dialog.
Rama: "Dua ta përsëris miqësisht në këtë rast qëndrimin tonë se tani që problemi është shtruar dhe askush nga miqtë e Kosovës nuk e diskuton domosdoshmërinë e konsolidimit të regjimit të reciprocitetit në përdorimin e targave të përkohshme duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t'u siguruar se nuk cenohet siguria mos kthehet në një problem mes Kosovës dhe miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Qeveria shqiptare ka plotësisht bindjen se tani problemi duhet të zgjidhet me dialog dhe unë besoj se janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë duke e shmangur vijën e konfliktit ku demonstrimit të forcave ushtarake duhet t'ia lënë vendin demonstrimi i arsyes dhe argumenteve në rrafshin diplomatik."
Kryeministri theksoi se i takon Albin Kurtit që të vendosë në një situatë kaq delikate.
Rama: "Edhe këtu duhet të jemi shumë të qartë, i takon kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës të vendosin në këtë situatë kaq delikate, por ajo që unë mund të them është se kjo është një mundësi qe mirë për ta treguar edhe një herë gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për të çuar dialogun në një nivel të ri."
