Si u zbulua Shpella e Mbytjes?

Ne kujtojmë se e njohim Tiranën, por kjo nuk është e vërtetë. Emisioni "Shkurt e Shqip" në RTV Ora ka sjellë një tjetër zbulim sa interesant aq edhe të vështirë për t'u arritur.

Mes shtigjeve të ngushta dhe rrugës së vështirë malore "Shkurt e Shqip" sjell historinë se si u zbulua "Shpella e Mbytjes."

"Histori e zbulimit është rreth 11 vjet më parë. Ka qenë pjesë e eksplorimeve të vazhdueshme të Tiranës në kuadër të një produkti të cilin doja që gjitha këto bukuri të Tiranës t'ia servirja publikut dhe në kuadër të këtyre eksplorimeve ka qenë dhe pjesa e shpellës. Sebep është bërë një fshatar i zonës, i cili më tha ka një vend shumë të bukur, po deshe ikim bashkë. Patjetër i thashë! Për një kohë të shkurtër sajuam një udhëtim së bashku dhe erdhëm e eksploruam, kemi qenë 4 persona," thotë fotografi Albert Cmeta.

Që prej kohës kur e keni zbuluar ka ndryshuar hyrja e saj?

"Përveç ferrave që pamë rrugës të cilat e kishin zënë shtegun, nga mospërdorimi i shtegut dhe pandemia dhe gjithë pjesa tjetër, le të themi që koha ka ndaluar dhe nuk shoh ndonjë ndryshim në pjesën tjetër. Nuk shoh ndonjë ndryshim në pjesën e hyrjes," thotë fotografi.

"Vijmë shpesh me grupe sepse shpella është në guidat e Tiranës dhe është shumë interesante brenda sidomos pjesa e stalakmideve. Vjeshta është stina më e mirë për ta vizituar, por nuk ka lidhje me brendësinë e shpellës," thotë Artan Gaziu, udhërrëfyes.

"Fshatarët e zonës i thonë edhe ''shpella e mytme," shprehet fotografi./OraNews/