““Ti je një hiç!”/ Shehaj reagon pas zbardhjes së debateve brenda PD: Ka përçarje të madhe, s’jam dakord me...
Ditën e sotme, brenda grupit të PD, u raportua se ka pasur debate, mes Kryedemokratit, Lulzim Basha, Grida Duma dhe Agron Shehajt.
Ndërkohë në lidhje me këtë ka reaguar së fundmi dhe vetë Agron Shehaj, i cili ka sqaruar në versionin e tij debatin që ka ndodhur brenda PD.
Shehaj shkruan se ai i është drejtuarkryedemokratit Lulzim Basha duke i thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e PD-së nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por ka një përçarje të madhe dhe se s’mund të jetë dakord me strategjinë “t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati”.
Postimi i plotë:
Nisur nga zbardhja e manipuluar e debatit, e shpërndarë në media me qëllim për të më denigruar dhe fshehur të vërtetën, ndihem i detyruar të bëj publik qëndrim tim në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Iu drejtova z.Basha duke thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e Partisë Demokratike nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por fatkeqësisht ka një përçarje të madhe dhe kurrsesi s’mund të jem dakord me strategjinë “t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati”.
Argumentova se pjesa më e madhe e votuesve të Partisë Demokratike janë kundër drejtuesve të Partisë Demokratike. Në këto kushte, agjenda jonë s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike.
Në lidhje me akuzat e pavërteta dhe absurde, për qëllim servilizmi dhe fshehjen e problemit, nuk meritojnë asnjë koment.
Gazetari i Panorama, Mariglen Kume, bëri me dije se debati nisi menjëherë kur mori fjalën Agron Shehaj i cili i tha kreut të PD se ka bërë një sondazh vetë ku sipas tij 75% e demokratëve nuk do Bashën, por preferonte deputetin e ri si kryetar të PD.
Shehaj është përplasur më pas edhe me nënkryetaren e PD, Grida Duma dhe Sekretarin e Përgjithshëm pasi këta dy të fundit i thanë Shehajt se ka përdorur paratë për të blerë vota për kryetar partie dhe ka bashkëpunuar me njerëz që në fushatën e 25 prillit punuan kundër PD-së./ Ora News/
