"Mungon komunikimi shtet-student", Qirjaxhi: Mosbesimi i të rinjve për t'u vaksinuar është i arsyeshëm
Aktivisti Migen Qirjaxhi i ftuar në studion e "Jeto me Orën" në RTV Ora me moderatoren Ana Kallaku diskutoi mbi vaksinimin e detyrueshëm të studentëve para nisjes së Universitetit në 11 tetot. Sipas tij, mungesa e besimit të studentëve për t'u vaksinuar është e justifikueshme, pasi shteti nuk ka komunikuar me ta përsa i përket çështjes së vaksinimit.
Qirjaxhi: "Jemi vetëm 3 javë larg fillimit të Universitetit që do të thotë deklarata e kryeministrit ka ardhur diku te 2 javë më parë. Nëse sot do kishim një shifër ekzakte se sa persona kanë marrë dozën e parë do ta dinim se sa do ishin të mbushur auditoret. Ne besojmë se zgjedhja e rrugës për të detyruar të rinjtë të vaksinohen është një mënyrë e gabuar dhe ka prodhuar të kundërtën. Sipas statistikave tregohet se 40% e studentëve janë shprehur pozitivë për vaksinimin, ndërsa 60% nuk janë shprehur se do të vaksinohen.
Ajo që ndodh sot është mungesa e besimit ndërmjet komunikimit mes shtetit dhe studentëve. Nëse ne sot flasim me tone të ashpra duhet të vaksinohemi se s'bën sigurisht që do ndeshemi me një situatë ku ai që është gardiani dhe nuk është kujdesur për këtë komunitet duke i lënë të lirë në kafe për 1 vit e gjysmë, që ka lënë një turizëm pa pengesa, evente të ndryshme në qytetin e Tiranës e ke të pamundur të kuptosh dhe i gjithë mos besimi është i arsyeshëm. Vetëm për të dëgjuar mësimin në auditor vaksinimi është i detyruar dhe këtu kemi të bëjmë me një vaksinim të arsyeshëm. "/OraNews/
