Tri ditë bllokadë në pikat kufitare veriore, thirrja e Kurtit: T'i heqim targat bashkë me Serbinë

Vazhdojnë thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të ulin tensionet pas masës së fundit të reciprocitetit nga Prishtina. Qeveria kosovare thotë se kërcënimet e palës serbe me ultimatume në këmbim të dialogut nuk e ndihmojnë situatën.

Kosova e ka ftuar Serbinë t'i japin fund bashkërisht tensioneve që ka krijuar futja në fuqi e reciprocitetit për targat e përkohshme të automjeteve.

Prej së hënës, kamionë e vetura të protestuesve serbë kanë bllokuar rrugët drejt kufijve në Bërnjak dhe Jarinjë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi gjatë një mbledhjeje qeverie se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po i nxit incidentet.

 “Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike, përveçse gjeneroze. Le t'i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova. Incidentet dhe eskalimi nuk janë në interesin e shtetit të Kosovës, nuk ka interes as Serbia dhe duket se vetëm një individ ka interes për to, e ky është presidenti i Serbisë,” tha Kurti.

Beogradi pretendon se me reciprocitetin Kosova po shkel dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011.

Bashkimi Europian reagoi përsëri me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhei.

"Është e domosdoshme që Serbia dhe Kosova të përmbahen dhe të ulin tensionet, t'i kthehen dialogut dhe të sigurojnë pa vonesë lirinë e lëvizjes. Veprimet e njëanshme nuk janë kurrë zgjidhje," shkroi Varhei në twitter.

Presidenti i Serbisë tregoi një ditë më parë se që të ulen të bisedojnë, pala kosovare duhet fillimisht të tërheqë trupat speciale që ka çuar në veri.

Homologia e tij në Kosovë, Vjosa Osmani, e diskutoi një ditë më parë çështjen me kryesekretarin e NATO-s, duke i dënuar kërcënimet dhe veprimet e Serbisë.

Përmes reciprocitetit, Kosova po u kërkon shoferëve me targa të Serbisë të pajisen përkohësisht me targa kosovare, siç detyrohen edhe shtetasit me targa të Kosovës nga pala serbe.