Në ditën e tretë të protestës, ROSU patrullon në Jarinjë dhe Bërnjak, trafiku i bllokuar
Sot është dita e tretë që dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbë lokalë, që po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat e Serbisë.
Situata në vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak paraqitet e qetë por edhe e tensionuar.
Njësitë speciale ROSU të Kosovës janë ende të vendosura në veri teksa qytetarët serbë vijojnë bllokimin e rrugës në shenjë proteste.
Deri tani i vetmi incident i regjistruar është përdorimi i gazit nga policia për të shpërndarë serbët e tubuar pranë vendkalimit Bërnjak në ditën e parë të protestës.
Merdari është i mbushur me njerëz për shkak të zëvendësimit të targave të përkohshme, ndërsa në Bërnjak dhe Jarinje transporti i udhëtarëve funksionon, por autobusët i sjellin në vendkalim, pastaj ecin 800 metra deri në bllokadë dhe atje ata merren nga autobusë ose makina të tjera.
Kosova insiston që masa e reciprocitetit nuk u vendos për të provokuar serbët, ndërkaq Serbia kërkon tërheqjen e policisë nga veriu, në të kundërtën ka paralajmëruar masa.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulin tensionet dhe të shmangin veprime të njëanshme që do ta përkeqësonin situatën në veri.
