Një stil i shëndetshëm jetese, ja çfarë këshillon nutricionistja në studion e "Jeto me Orën"
Nutricionista Albana Daka dhe blogerja e ushqimit Dhurata Thanasi, të ftuara në studion e "Jeto me Orën" në RTV Ora treguan disa këshilla për një regjim të shëndetshëm ushqimor.
Albana Daka, u shpreh se imuniteti i trupit ka një memorie afatgjatë dhe ka disa faktorë të ndryshëm që ndikojnë në imunitetin tonë. Sipas nutricionistes regjimi më i mirë ushqimor është ai stinor.
Albana Daka: "Parimi është që regjim ushqimor çudibërës nuk ka asnjëherë dhe regjimi ushqimor nuk mund të jetë një muaj për të forcuar imunitetin dhe për t'u mbrojtur nga Covid. Ajo që nga mbron ne, apo ushtarët që kemi në organizëm ndaj cilësdo sëmundje është padyshim sistemi ynë imunitar. Imuniteti jonë ka një memorie afat gjatë që vjen nga stili i jetës, regjimi ushqimor, aktiviteti fizik pra janë gjithë këta faktorë që ndikojnë në imunitetin tonë. Duhet të kemi një regjim të shëndetshëm ushqimor dhe padyshim duke e kombinuar me suplemente kur organizmi ka nevojë. Nëse kemi nevojë padyshim duhet t'i marrim, nëse nuk kemi nevojë regjimi ushqimor është i duhuri për të pasur një sistem imunitar të fortë. Dhe regjimi më i mirë ushqimor është ai stinor, pra shporta me perime dhe fruta të stinës të alternuar me fibra, me mishin e kuq në sasi të reduktuar jo më shumë se 2 herë në javë dhe sasi të moderuara të bulmetit."
Dhurata Thanasi, blogere ushqimesh u shpreh se nuk duhet ulur vigjilenca gjatë gjithë vitit në mënyrën se si ushqehemi. Pra çdo gjë ka të bëjë me parandalimin për një regjim të pasur ushqimor.
Dhurata Thanasi: "Çelësi, e mira jonë qëndron të ushqimi stinor dhe lokal mbi të gjitha. E kemi aq të pasur tokën tonë sa nuk ka problematikë në zgjedhjen e ushqimeve stinore. Në të njëjtën kohë duhet shoqëruar me një stil jete sa më në afërsi me natyrën. Sa më shumë aktivitete, sa më shumë pranë natyrës për të krijuar një sinergji me të e cila largon stresin. Çdo gjë ka të bëjë me parandalimin, nuk duhet ulur vigjilenca në mënyrën se si hamë ushqimet, nuk duhet ulur vigjilenca në atë që zgjedhim. "/OraNews/
