QSUT, 1.2 milionë euro pa garë/ 5 kompani ngrenë “padi” për 10 tendera: Kritere të kopsitura
10 tendera me vlerë rreth 1.2 milionë euro të QSUT janë ankimuar prej subjekteve të interesuara. Kriteret që s’kualifikojnë pjesëmarrësit si dhe termat e paqartë bëjnë që dosjet të përfundojnë në komisionin e prokurimeve publike. Pas ankesave një prokurim është anuluar dhe 9 të tjerë janë pezulluar
Me një fond limit prej 155 milionë lekësh, 10 procese tenderimi të qendrës spitalore “Nënë Tereza” janë bllokuar nga KPK. Sipas dokumenteve zyrtare 5 kompani nuk kanë rënë dakord me vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe me kriteret që janë vendosur për tu plotësuar për subjektet e interesuara.
Përcaktimi specifik i paisjeve që kërkohet, duke eliminuar mjete alternative dhe që sjellin të njëjtin produkt, konsiderohet i padrejtë dhe i paqartë.
Madje në shkresat që janë dërguar në komisionin më të lartë të vlerësimit të ofertave thuhet se përmes këtyre kritereve kompanive u pamundësohet pjesëmarrja në garë.
Pretendimet e ankimuesve ngrihen dhe mbi gabimet teknike që kanë pasur dokumentacionet në shpalljen e tenderit. Përmes fondit prej rreth 1.2 milionë eurove qendra spitalore kërkon të sigurojë aparatet e frymëmarrjes, shtretër, paisje për pediatrinë kardiologjinë dhe të tjerë.
Pas shqyrtimit të kërkesës 1 prej procedurave është anuluar plotësisht dhe të tjerat janë pezulluar
Kjo nuk është hera e parë që kompanitë denoncojnë vendosjen e kushteve që sjellin kufizimin e konkurrencës. Madje dhe vetë kryeministri Edi Rama deklaroi që do të dërgojë në SPAK, çdo dosje e cila dyshohet se kufizon konkurrencën. Edhe pse po arrihet në 100 ditëshin e parë nga kjo deklaratë deri më tani nuk ka deklarata zyrtare për kallëzimin e ndonjë tenderi për tu hetuar./Ora News/

