Noka nuk justifikon presionin amerikan ndaj Bashës: Unë ikja dhe nuk pushkatoja partinë
Deputeti, Flamur Noka, nuk e gjen të justifikuar vendimin e kryetarit të partisë së tij Bashë për përjashtimin nga grupi të zotit Berisha, edhe nëse ai ka qenë përballë presionit të fortë amerikan.
I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Noka njësoj si Berisha mendon se Basha duhet të kishte konsideruar dhe dorëheqjen e tij për të shmangur pushkatimin e partisë.
Noka: Ajo që kërkon sot Berisha dhe çdo shqiptar demokrat apo jo demokrat është trasparenca. Sali Berisha e ka thënë, një provë dhe ikën vet, nuk ka nevojë për të bërë të gjithë këto insinuata. Berisha për çështjen e Blinken ka marrë vendimin të ecë i vetëm dhe e ka çuar në gjykatë. Jo vendimin non grata por motivacionin e non grata. Është një betejë që Sali Berisha ka thënë se nuk përfshin asnjë anëtar të PD dhe as PD se është betejë e tij.
Ku qenka problemi i Bashës që arriti në këtë gjë? Çdo lider i përgjegjshëm në krye të një force politike do të zgjidhte një rrugë tjetër. Kushdo të më thoshte vrite partinë tënde, unë nuk e vras partinë time. Më përpara marr gjithë përgjegjësinë mbi shpatullat e mia dhe iki sesa të pushkatoj forcën time politike. Me këtë përçarje PD ka marrë fund, vetëm iniciativa e Berishës me Foltoren mund ta mbajë të bashkuar PD.
Një përgjigje Noka e pati dhe për ata që e shohin të ashpër gjuhën e përdorur nga Berisha ndaj Bashës.
Noka: Berisha është duke kërkuar që çdo vendim të ketë legjitimitet, të respektohet Kushtetuta e forcës tonë politike. Nëse dikë e shqetëson kthimi i legjitimitetit te PD kjo çështje e tij por legjitimiteti duhet kthyer. Nëse dikë e shqetëson se demokratizimi i duhet sot më shumë se kurrë PD se vendimi ka qenë autokratik kjo është çështje tjetër. Berisha dhe çdo demokrat e ka detyrë të ecë në këtë rrugë për demokratizimin e PD dhe instalimin e një demokracie funksionale.

