Vjosa Osmani në Gjermani dhe SHBA: "Open Balkan" i rrezikshëm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e quajti nismën e “Open Balkan” të rrezikshme dhe tha se vonon integrimin evropian të rajonit. Nga Berlini ku takoi funsionaret më të lartë në Gjermani, Osmani akuzoi Edi Ramën, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev se përmes “Open Balkan” po përpiqen të zëvendësojnë Procesin e Berlinit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaron se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do të ketë mbështetje.
Ajo përforcoi kundërshtarin ndaj nismës “Open Balkan” të cilësuar si të panevojshme dhe nga kyeministri Kurti në Tiranë një ditë më parë pas takimit me kancelaren Merkel .
Osmani i bëri të ditura qëndrimet në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani.
“Open Balkan është i rrezikshëm, dhe e vonon integrimin evropian, dhe provon të zëvendësojë Procesin e Berlinit, gjë që është e pamundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ndodh”.
Presidentja Osmani u takua ne Berlin me homologun e saj gjerman, Frank Walter Steinmeier.
Gjatë kesaj bisede ajo kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Osmani takoi edhe shefin e diplomacisë gjermane Heiko Maas dhe aty permendi synimin e Kosovës për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare.
Kosova synon të jetë pjesë e BE-së, OKB-së, por edhe e shumë organizatave ndërkombëtare.
Në Berlin është folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Presidentja e Kosovës ka përfocuar qëndrimin se rezultati përfundimtar i negociatave duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues në Kosovë, sikurse edhe e kufijve të tashëm.
Pas vizitës dyditore në Gjermani presiedntja Osmani udhëton drejt Shteteve të Bashkuara bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla.
