Maqedonia e Veriut pret grupin e dytë të afganëve
Në Maqedoninë e Veriut mbrërri mbrëmjen e sotme grupi i dytë prej 44 afganëve, përfshirë fëmijë, gra dhe burra.
Në aeroportin e Shkupit, ata u pritën nga përfaqësuesit e Kryqi të Kuq, të cilët i dërguan në një hotel ku edhe do t'i nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe testeve PCR për COVID-19 ndërsa do tu ofrohet edhe mundësia e vaksinimit.
Afganët janë ish-punonjës të organizatave ndërkombëtare, që kanë punuar në Afganistan deri para marrjes së pushtetit nga talibanët pas largimit të ushtarëve amerikan.
Në grupin e parë në Maqedoninë e Veriut kishin ardhur 149 persona, po ashtu ish-punonjës të organizatave ndërkombëtare së bashku me familjet e tyre.
Maqedonia e Veriut ka thënë se do të strehojë gjithsej 750 afganë.
Më shumë se 120,000 njerëz u larguan nga aeroporti i Kabulit pasi talibanët morën kontrollin e vendit.
Megjithëse transporti ajror përfundoi më 31 gusht me tërheqjen e trupave amerikane, zyrtarët talibanë kanë thënë se do të lejojnë të largohen njerëzit me dokumente udhëtimi të vlefshme.

