U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet 25-vjeçari në Korçë
Policia e Korçës ka arrestuar një 25-vjeçar i cili u kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Sipas bluve, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Q. Sh., 25 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, shtetasin e mësipërm i cili ishte duke lëvizur me mjetin tip "Volkswagen" dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte.
Drejtuesi i mjetit, nuk iu është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 25-vjeçari dyshohet se kundrejt shpërblimit 300 euro iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.
