Rama për “Ballkanin e Hapur”: Nuk është lojë e Serbisë, me Kosovën të diskutojmë vëllazërisht

Kryeministri Rama nga Kuvendi ku prezantoi planin e qeverisë diskutoi edhe çështjen "Ballkani i Hapur."

Ai u shpreh se "Ballkani i Hapur nuk është një lojë e Serbisë, por është pjellë e Procesit të Berlinit. 

Sa i përket Kosovës, Rama u shpreh se ne mund të flasim, por nuk mund të vendosim pasi vendimet merren nga vetë Kosova.

"Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t'i respektojnë vendimet tona," tha Rama ndër të tjera.

Kryeministri u shpreh se "Ballkani i Hapur" është rezultat i nevojës për të ecur më shpejt.

Rama: "Ballkani i hapur nuk është lojë e Serbisë, nuk është as konspiracion rus apo kinez. Nuk është devijim nga rruga e anëtarësimit të BE, apo nga korniza e Procesit të Berlinit. Të gjitha këto janë përralla me gogol, në një luftë nga Facebook dhe kolltuku. Kosova dhe Shqipëria atë armik e kanë mundur realisht falë SHBA-së, kundër xhahilit të Beogradit si dhe falë UÇK.

Foshnjat që lindën në atë luftë dhe që sot po bëhen djem dhe vajza për t'u martuar nuk ia kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë as në Prishtinë as në Tiranë.

Nuk ia kanë borxh që Kosova e nxitur edhe nga Tirana për politika që s'kanë të bëjnë me kombin dhe perspektivën e shqiptarëve, t'i humbasë në paqe si në një ruletë kazinoje politike, ku bllofet për politikë të brendshme me atë të jashtme pasojnë njëra-tjetrën , të gjitha kreditit ndërkombëtare që janë fituar me punë diplomatike, por për Kosovën ne mund të flasim jo të vendosim. U takon atyre të marrin vendime dhe ne na takon t'i respektojmë.

Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t'i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri-tjetrit bujrum t'i diskutojmë vëllazërisht, por jo ti' shpallim si tradhtarë dhe konsipracionistë ruso-kinezë ata që mendojnë ndryshe.

Duke luajtur harushë me dhimbjet e njerëzve. Të përvëluar në mish dhe shpirt nga lufta por edhe me padijen e kësaj ane dhe asaj që pushkët i nxjerrin në Facebook për të sharë.

"Ballkani i hapur" është pjellë e procesit të Berlinit si rezultat i nevojës  për të ecur më shpejt me lirinë e lëvizjes së njerëzve pa pritur që të na mbledhë njëherë në vit për të bërë një mbledhje të radhës. Në procesin e Berlinit ishte edhe korridori blu. Ku është? Ballkani i hapur nuk merr përsipër asgjë, por mundëson që ta nxjerrin vetë gomarin nga balta."