Efekti Cristiano Ronaldo, tani edhe Pogba dëshiron të qëndrojë

Paul Pogba ishte një hap larg “divorcit” me Man. United këtë verë. Falë një insistimi të Solskjaer, drejtuesit vendosën të rrezikonin “All in”, duke e mbajtur francezin edhe këtë vit kur atij i kanë mbetur vetëm pak muaj nga skadimi i kontratës.

Por siç dihet, në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt dhe një gjë e tillë vlen edhe për mesfushorin e “djajve të kuq” i cili duket se ka ndryshuar qëndrim dhe po merr në konsideratë për të rinovuar kontratën me Man. United.

Një nga arsyet kryesore është afrimi i Ronaldos, ku rikthimi i portugezit ka patur impakt të madh si te ekipi, tifozët por edhe te prestigji dhe tashmë gjithçka ka ndryshuar për mirë si për Pogba ashtu edhe për drejtuesit. Këta të fundit e mirëpresin një vendim të tillë për ta mbajtur lojtarin i cili dëshironte PSG-në e pse jo edhe Juventusin.

Duke parë se këta të fundit janë në vështirësi dhe te PSG ka yje plot, Pogba mendon se Man. United duket vendi më i mirë i mundshëm për të vijuar karrierën dhe Mino Raiola shumë shpejt do të nisë bisedimet për rinovimin e kontratës me “djajtë e kuq”.